Tiranë, 3 shtator, NOA - Ministria e Financave përmes një deklarate për shtyp ka sqaruar qëndrimin e saj mbi shqetësimin e disa bizneseve rreth masave që po ndërmerr administrata tatimore, të cilat kanë të bëjnë me depozitimin në gjykatë të kërkesave për fillimin e procedurave të falimentimit të tyre.
Sipas kësaj deklarate, ky dikaster sqaron opinionin publik se fillimi i procedurave të falimentimit është kërkesë ligjore dhe zbatohet për të gjitha subjektet që kanë kaluar në statusin pasiv të QKR-së për një periudhë prej 2 vjetësh.
Por edhe pëto subjekte, detyrimi tatimor i të cilave është deklaruar i pambledhshëm pasi janë përfunduar të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji tatimor procedural, si edhe ato subjekte që nuk kanë kryer veprimtari tregtare apo nuk kanë shlyer detyrimet ndaj administratës tatimore për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit për procedurat tatimore.
Sa i përket pikës për nisjen e procedurave të falimentimit për subjektet që kanë deklaruar rezultat me humbje të kapitaleve për periudha prej të paktën 3 vite rresht, ajo bëhet paralelisht me zbatimin e dispozitave të ligjit për falimentin, i cili parashikon edhe verifikimin e gjendjes së paaftësiëe paguese, si parakusht.
"Ministria e Financave inkurajon administratën tatimore në këtë veprim të sajin, plotësisht në përputhje me ligjin dhe ka bindjen në një proces verifikimi të drejtë dhe  të ndershëm nga gjykatat shqiptare".
Sipas këtij dikasteri, në gjykatë gjithkush do të ketë mundësinë të provojë me prova dokumentare se nuk ndodhet në kushtet e paaftësisë paguese duke garantuar kështu edhe pagimin e tatimeve të ardhshme.
n.e/NOA