English

Pas dështimit në Kuvend, plan i biznesit shqiptar për Gjykatën Administrative me ndihmën e SHBA

TIRANË, 4 shtator NOA - Drejtuesit e 28 shoqatave të biznesit nga i gjithë vendi u mblodhën në Tiranë për të diskutuar rreth zgjerimit të përpjekjeve të avokimit rreth projekt-ligjit për Gjykatën Administrative.

Këto shoqata planifikojnë të fillojnë këtë muaj një fushatë intensive që synon të mobilizojë bizneset dhe publikun në përkrahje të këtij projekt-ligji, i cili, sipas tyre, do t'i hapë rrugën krijimit të një sistemi modern të gjykatave që do të mund të trajtojnë në mënyrë efektive dhe të drejtë mosmarrëveshjet administrative.

Komuniteti i biznesit në Shqipëri e ka përkrahur prej kohësh krijimin e Gjykatës Administrative, të cilën ata e shohin si një mekanizëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë qytetarëve.

Një grup shoqatash të biznesit u bashkuan në pranverën e këtij viti për të kërkuar që Parlamenti ta kalonte këtë ligj në seancat e fundit plenare para zgjedhjeve të 29 qershorit. Këto përpjekje nuk patën sukses.

Tani, një grupim akoma më i gjerë i shoqatave të biznesit synon që ta ngrejë zërin më fort para Parlamentit të ri për të bërë të mundur që projekt-ligji për Gjykatën Administrative të bëhet pjesë e programit të punës së Parlamentit për këtë vjeshtë.

Në këtë takim, Drejtorja e Misionit të USAID në Shqipëri, znj. Roberta Mahoney, përgëzoi përpjekjet e jashtëzakonshme të komunitetit të biznesit për të lobuar për reformën në sistemin gjyqësor.

"Tani varet kryesisht nga ju, "deklaroi znj. Mahoney, "që t'i bëni vendimmarrësit t'i vënë në jetë planet për krijimin e Gjykatës Administrative si një një institucion, nga i cili do të përfitojnë komuniteti i biznesit, institucionet publike dhe të gjithë qytetarët".

USAID, në kuadrin e Marrëvëshjes Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II, do të punojë me qeverinë dhe sistemin shqiptar të drejtësisë për të ngritur Gjykatën Administrative, pasi të jetë miratuar ligji përkatës.

Faza e dytë e Programit Prag MCC Shqipëri është një marrëveshje dyvjeçare me vlerë 15.7 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe e administruar nga USAID, e cila ka për qëllim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar kështu klimën për biznes në Shqipëri.

e.n/NOA

KOMENTE