Tiranë, 3 shtator NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Hasan Sevilir Asan, me rastin e paraqitjes së Letrave-kredenciale.
Kryetari i Shtetit i uroi ambasadorit turk mirëseardhjen në Shqipëri duke i dëshiruar njëkohësisht suksese në përmbushjen e misionit në vendin tonë.
Presidenti i Republikës shprehu mbështetjen e plotë për Hasan Sevilir Asan për realizimin e detyrës së tij diplomatike në vendin tonë me besimin që kjo do i kontribuojë zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë. Gjatë bisedës, Presidenti Topi bëri një pasqyrë të përgjithshme të zhvillimeve të brendshme në vend dhe të arritjeve të politikës sonë të jashtme, ku nënvizoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe kandidimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti vlerësoi përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke nënvizuar se Turqia, ka qenë një mik i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve e tashmë është partner strategjik i saj në rajon e më gjerë.
Në këtë kuadër, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona, po ashtu dhe në fusha të tjera me rëndësi prioritare për zhvillimin e vendit si atë të energjetikës, infrastrukturës, turizmit, telekomunikacionit, etj. Nga ana e tij, Ambasadori turk Hasan Sevilir Asan shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë prezantim dhe takim me Presidentin Topi.
Ai vuri në dukje se përgjegjësinë dhe kënaqësinë për marrjen e kësaj detyre të lartë në Shqipëri, një vend me kulturë dhe traditë të hershme, me një popull vital me vlera dhe histori të lashtë, duke thënë se do të japë maksimumin e tij që marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë gjatë mandatit të tij diplomatik në vendin tonë të njohin vetëm ecuri progresive.
k.k/NOA