Prishtinë, 4 Shtator NOA Update - Tronditës është rrëfimi i një djali të ri në Kosovë i cili me dëshirën për të qenë ai, bukuroshi i vitit në spektaklin që pritet të organizohet këto ditë, ka rënë pre i dëshirave seksuale të organizatorit.
Ka qenë Kreshnik H., Drejtori dhe Koordinatori i një OJQ-je dhe organizator i Spektaklit Mister-Internacional Kosova 2009 i cili ka kërkuar nga viktima i tij marrëdhënie homoseksuale mes tyre dhe shumën prej 1300 euro që të zgjidhet Mister Kosova-2009.
Këtë e konfirmoi policia e Kosovës e cila tha se nga hetuesit e Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të Departamentit të Hetimeve, është bërë arrestimi i të dyshuarit.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se nga hetimet dhe rrëfimi i të riut, një djalë nga Gjakova, bëhet e ditur se ai është ndjellë nga Kreshnik H., për të qenë në majat e spektaklit i cili do të mbahet nesër më 5 shtator në qendër të Gjakovës. Sipas policisë, janë gjetur provat të cilat faktojnë akuzën se i arrestuari ka kërkuar të holla nga viktima me qëllim që ai të zgjidhej mister në spektaklin e bukurisë Mister-Internacional Kosova 2009.
Sikundër ka denoncuar djali 21-vjeçar në polici, "drejtori i organizatës jofitimprurëse dhe organizatori i Spektaklit Mister-Internacional Kosova 2009 më ka kërkuar 1 mijë e 300 euro dhe shërbime seksuale në këmbim të zgjedhjes si Mister Kosova 2009, në spektaklin që do të mbahet të shtunën në Gjakovë".
I riu ka treguar se ai është joshur nga Kreshnik H., i cili i ka premtuar se do ta shpinte në majat e karrierës si bukuroshi i Kosovës.
Sigurisht që për të arritur këtë, Kreshnik H., i ka bërë të qartë se ishte ai që e kishe në dorë ta shpallte Mister Kosova 2009.
Por sipas denoncimit të djalit, organizatori i Spektaklit Mister-Internacional Kosova 2009 i kishte bërë të qartë se këtë ëndërr do ta realizonte vetëm nëse i dorëzohej atij seksualisht, e ca më tepër t'i jepte dhe ca para, saktësisht, 1 300 euro.
Pas prangosjes së të dyshuarit, Policia tha se "Kreshnik H., është arrestuar nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale Marrje e Ryshfetit nga neni 343 dhe Tentim të shpërdorimit seksual, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 200 i KPK-së, ndaj qytetarit-viktimës. "Me urdhër të Prokurorisë Komunale Prishtinë të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë", - thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
/a.b/e.n/NOA/