English

Shansi i humbur i Edi Ramës

Ajo që dihet me siguri është se Edi Rama nuk është lideri që bën për atë parti. Ai po ua tregon vetë këtë dëshpërimisht socialistëve me ethet që e kanë kapluar për të mbetur në krye të PS

Nga Armand Shkullaku

Partia Socialiste e Shqipërisë nuk fitoi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe Edi Rama humbi shansin e jetës për të qenë lideri i vërtetë i saj. Edhe në administrimin e humbjes, ai shfaqi anën e tij më të dobët, frikën për t'u përballur me faktet dhe realitetin. Në përpjekjet tragjikomike për të justifikuar qëndrimin në krye të PS, Rama po tregon se gjithë aventura e "politikës së tij të re" fillon dhe mbaron tek kapja fort pas karriges dhe imunitetit të kryetarit të një partie të madhe. Atij nuk i intereson çmimi i dinjitetit që po paguan, përballë ankthit që i krijohet duke e përfytyruar veten jashtë zyrës së kryetarit të PS. Ashtu, duke e përtypur turpin dhe frikën bashkë, Edi Rama nuk pati kurajën ta pranonte humbjen, të tërhiqej me dinjitet, të shikonte se ku gaboi dhe të gatuante projektin tjetër politik për t'i bindur socialistët se në zgjedhjet e ardhshme do t'u garantonte fitoren. Ai në fakt nuk është nga ky soj politikani. Vetëm ideja se mund të mbetet pa forcën që ia jep posti dhe jo personaliteti, ia vret gjumin dhe ia pret gjunjët. Prandaj ai nuk mund të tërhiqet, prandaj ai u përpoq t'i bindë socialistët se po rri në krye të PS për hatër dhe për të mirën e tyre. Misionari i "politikës së re" u shndërrua në politikanin e vogël, që bërtet e ngre zërin për gjoja padrejtësitë, për të mbytur zërin e brendshëm që tenton t'i thotë të vërtetën. Që ai i humbi zgjedhjet, që ai ishte një politikan i mësuar të luajë në intriga dhe skenarë të vegjël dhe jo të përballet në beteja të mëdha, që të drejtosh Shqipërinë, sado keq të jetë katandisur ajo, duhet të kesh një projekt politik serioz, me përmbajtje, duhet të ngresh dhe të mbash në këmbë një kauzë që frymëzon dhe motivon njerëzit. Edi Rama nuk kishte asgjë nga këto. Ai po tregon se edhe tani nuk ka asgjë që ka të bëjë me politikën e madhe, me politikën si frymë dhe jo me politikën si llogari. Për këtë arsye, ndonëse u kap fort pas karriges së kryetarit, ai e ka humbur mundësinë për të qenë lider i Partisë Socialiste. Sigurisht që për momentin ai i ka numrat dhe mundësitë për t'i neutralizuar rivalët e rinj. Ai do të fitojë edhe përballë Maqo Lakrorit, versionit më të fundit të Uran Butkës sipas "politikës së re". Do të dalë dhe do të flasë përsëri si kryetar në foltoren me ngjyra të Partisë Socialiste, por atij megjithatë i mungon brumi që gatuan liderin. Edhe përpara zgjedhjeve, ai veproi me të njëjtën filozofi. Hartoi plane dhe kaloi net pa gjumë për t'i kërkuar Berishës një ligj elektoral vetëm për të eliminuar Nanon dhe goditur LSI. Hyri në fushatë pa guxuar të prekë korrupsionin, pikën më të dobët të qeverisë Berisha. Bëri lista deputetësh jo për të garantuar fitoren, por bindjen e verbër ndaj tij. Shpiku kova me bojë, stilolapsa lodër dhe të tjera marifete dhe nuk tregoi asnjëherë brendinë e programit të tij politik. Në fund, me farën që mbolli, korri humbjen. Sepse për të fituar duhet shumë më tepër se sa një tufë vartësish të bindur, ca fjalime dhe pamje të montuara televizive. Rama nuk krijoi dot frymë, nuk prodhoi dot një kauzë të madhe dhe mbeti peng i skemave të vogla dhe interesave të ngushta. Edhe tani, në administrimin e humbjes ai po dëshmon të njëjtën gjë. Jo vetëm se po kërkon të qëndrojë, kur vetë e ka sanksionuar ikjen, por edhe sepse këtë përsëri po e bën thjesht duke parë interesin e tij dhe jo kauzën e mijëra socialistëve. Edi Rama po e mban fort postin e kryetarit të PS, por ai e di që nuk e ka fituar atë. Nuk ka bërë asnjë betejë reale për të. Këtë po e shohin edhe vetë socialistët. Dhe sa më shumë stërmundohet ai për të mbetur në karrigen e kryetarit, aq më shumë del në pah pafuqia e tij si udhëheqës politik. Çdo përpjekje për të justifikuar qëndrimin e mëtejshëm në krye të PS, e nxjerr zbuluar frikën e Ramës për t'i hyrë një beteje të vërtetë. Ai nuk është lloji i liderit që di të ringrihet pasi rrëzohet, ai është lloji i politikanit që ndeshet, por me kusht që të mos marrë plagë. Prandaj nuk e la Bashkinë e Tiranës, prandaj nuk kandidoi vetë në zgjedhje, prandaj e largoi Ilir Metën, prandaj dhe nuk do të dalë nga zyra e kryetarit. Mirëpo vjen një moment, që kur zgjedhjen nuk e bën vetë, ajo të vjen papritur. Nuk ka rëndësi sot nëse është Blushi apo Malaj alternativa e Ramës, nëse do të dalë dikush tjetër apo do të rikthehet Fatos Nano. Ao që dihet me siguri është se Edi Rama nuk është lideri që bën për atë parti. Ai po ua tregon vetë këtë dëshpërimisht socialistëve me ethet që e kanë kapluar për të mbetur në krye të PS. Ato ethe i pa edhe Kongresi, edhe Gramoz Ruçi edhe anëtarët e thjeshtë. Ndoshta tani nuk dinë se çfarë do të bëjnë me partinë e tyre, nuk janë ende të qartë për të ardhmen, por me siguri ethet e Edi Ramës vetëm garanci për fitore nuk japin. Partia Socialiste po përjeton shkundjen e madhe që i sillej rrotull prej kohësh dhe që ndoshta do të prodhojë edhe një lider. Edi Rama e humbi shansin e dytë për të qenë i tillë.Â

"Express"

KOMENTE