English

Shqipëria shpall shtetet që i konsideron mbrojtëse të të dhënave personale

Tiranë, 3 Shtator NOA - Autoritetet shqiptare kanë publikuar listën e vendeve që i konsiderojnë si shtete që mbrojnë gjeneralitetet dhe informacionet personale të shtetasve dhe konfidencialitetit të tyre.

Vendimi lidhet me përcaktimin e shteteve, me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes të së dhënave personale dhe u miratua në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar.

Sipas vendimit që erdhi me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli ynë i Ministrave shpall se shtetet, që kanë nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes të së dhënave personale, janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu inkuadrohen edhe shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane.

Po ashtu, përfshihen shtetet, që kanë ratifikuar konventën nr.108, të vitit 1981, "Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale", si dhe protokollin shtesë të saj, që garantojnë mbrojtjen e mjaftueshme të të dhënave personale, në përputhje me të gjitha kërkesat e direktivës 95/46/EC, të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, datë 24 tetor 1995, "Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe qarkullimin e lirë të të dhënave të tilla"; Në "listën e bardhë" të autoriteteve shqiptare, janë futur edhe shtetet, ku mund të transferohen të dhënat personale, sipas një vendimi të Komisionit të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është autoriteti përgjegjës për nxjerrjen e vendimeve të duhura për zbatimin e këtij vendimi të firmosur nga kryeministri Sali Berisha, vendimi që hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

e.n/NOA

KOMENTE