Bruksel, 3 shtator NOA-Komisioni i Evropës ka shpalosur planin për të pranuar një numër më të madh të refugjatëve nga zonat e konfliktit dhe shtetet e varfra në shtetet e Evropës.
Plani ka për qëllim të shkurajojë emigrantët, në veçanti ata nga Afrika që të bëjnë përpjekje të hyjnë ilegalisht në Evropë.
Shumë prej tyre rrezikojnë jetët gjatë përpjekjeve për të hyrë në Evropë, shpesh duke lundruar me anije të stërmbushur dhe duke ua besuar fatin e tyre trafikuesve të qenieve njerëzore.
Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 65.596 refugjatë janë zhvendosur në shtetet tjera anembanë botës gjatë vitit të kaluar, por shtetet e BE-së kanë pranuar vetëm 4378 prej tyre, apo vetëm 6.7 për qind.
Komisioni i Evropës ka theksuar se kjo shifër është shumë më e ulët sesa shifra e refugjatëve që janë pranuar nga shtetet tjera të industrializuara, në veçanti nga Kanadaja, Australia dhe SHBA-ja.
Programi i ri i përbashkët i BE-së ka të bëjë vetëm me pranimin e refugjatëve, të cilët aktualisht jetojnë jashtë shteteve të BE-së.
Ky program dallon nga propozimi, i cili ka për qëllim lehtësimin e transferimit të refugjatëve nga një shtet i BE-së në tjetrin, propozim ky i cili njihet si "ndarje e barrës".
Disa shtete në Mesdhe, përfshirë këtu edhe Italinë dhe Maltën, janë përballur me një numër të shtuar të azilkërkuesve gjatë viteve të kaluara, ndërsa shtetet tjera anëtare të BE-së dëshirojnë t'u dalin në ndihmë këtyre dy shteteve, duke pranuar një numër të madh të refugjatëve.
Në kumtesën e Komisionit u theksua se shtetet anëtare të BE-së mund të vendosin vetë se a dëshirojnë të pranojnë ose jo refugjatë dhe nëse pranojnë, cili do të jetë numri i refugjatëve, të cilët këto shtete janë të gatshme t'i pranojnë.
Sipas planit të ri të shteteve të BE-së, anëtarët e Unionit do të vendosin për çdo vit së bashku se cilit grup të refugjatëve duhet t'i jepet prioritet për emigrim dhe për të marrë më shumë para nga fondi i përbashkët, për t'iu siguruar refugjatëve shtëpi.
Deri në fund të vitit 2008, shtetet në zhvillim kishin strehuar 8.4 milionë refugjatë apo 80 për qind të popullatës globale të refugjatëve, me ç'rast vetëm Pakistani ka strehuar 1.8 milionë prej tyre, njoftoi Komisioni.
Aktualisht, dhjetë shtete anëtare të BE-së operojnë në kuadër të programit vjetor për ri-zhvendosjen e refugjatëve, përfshirë këtu Britaninë, Francën, Holandën dhe Suedinë. Disa shtete tjera anëtare, përfshirë këtu Italinë dhe Gjermaninë, pranojnë refugjatët në bazën ad hoc.
Gjermania, Luksemburgu, Italia dhe Belgjika kanë ofruar premtime specifike për ri-zhvendosjen e refugjatëve irakianë nga Siria dhe Jordania, pas diskutimeve që janë zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar, ka theksuar Komisioni.
m.i/NOA