English

Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe ata malazezë do të riatdhesohen nga vendet respektive

Tiranë, 3 Shtator NOA - Të gjithë shtetasit shqiptarë që hyjnë apo jetojnë në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe ata malazezë që kapen klandestinë në Shqipëri, do të riatdhesohen nga vendet respektive.

Kjo është pjesë e një marrëveshjeje që qeveria shqiptare ratifikoi në mbledhjen e saj të fundit, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani.

Bëhet fjalë për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ripranimin e personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm.

Ky vendim i cili hyn në fuqi menjëherë Këshilli i Ministrave thotë se u miratua në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare",.

Shumë shqiptarë, kryesisht nga Shkodra por edhe rajone të tjera të vendit, kanë shkuar vitet e fundit dhe jetojnë e punojnë në Malin e Zi.

Policia jonë e Shtetit, ka pohuar se një numër i konsiderueshëm i tyre janë të parregullt, pa leje qëndrimi por vetëm me viza hyrjeje.

Në këto kushte, ata preken nga marrëveshja që qeveria shqiptare ratifikoi në mbledhjen e saj të fundit.

e.l/NOA

KOMENTE