Bruksel, 3 shtator, NOA - Në momentet kur nga dita në ditë Evropa po përballet me viktimizimin e klandestinëve në brigjet e saj, mbërrin thirrja prej drejtuesve të saj që ajo të bëhet më humane dhe t'i pranojë ata në mënyrë që të shmangen tragjeditë e panevojshme.
Një fakt të tillë e ka deklaruar publikisht vetë nënpresidenti i Komisionit Evropian, Zhak Barrot, i cili po u bën thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të hapin dyert për më shumë refugjatë nga vendet në zhvillim, pavarësisht nga ndjenjat kundër emigrantëve si pasojë e krizës ekonomike globale. Barrot, i cili është njëkohësisht përgjegës për çështje të drejtësisë, lirisë dhe sigurimit në BE, tha se Bashkimi Evropian duhet të bëhet shembull i humanizmit dhe të qëndrojë përkrah vendeve që strehojnë një numër të madh refugjatësh, kur dihet se shumë njerëz nga vendet në zhvillim në Azi e Afrikë ikin për t'i shpëtuar varfërisë dhe luftërave. Barrot thotë se për shumë prej tyre, kthimi në atdhe nuk është alternativë, prandaj sipas tij, rivendosja e tyre në vende të treta është e vetmja zgjidhje. n.e/NOA