English

Vrasja e emigrantes shqiptare, kapet i shoqi pasi konfirmohet si autor

Athinë, 4 shtator NOA Update - Policia greke ka arritur të vërë në pranga sot, një 41-vjeçar shqiptar i cili gjendet si përgjegjës për vdekjen e të shoqes së tij, dhjetë ditë më parë në ishullin turistik të Rodosit, pas goditjeve me thikë.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se arrestimi i 41-vjeçarit, u bë nga sektori i luftimit të krimit ndaj personit të Policisë së Shtetit në Athinë.

Policia shprehu habi për faktin se i dyshuari u arrestua pas dhjetë ditë kërkimesh, pikërisht pranë vendit të vrasjes, në Afandu.

Pas prangosjes pa kryer rezistencë 41-vjeçari tregoi se gjatë këtyre ditëve ka qëndruar i fshehur në pyllin pranë vendbanimit dhe pohoi se iu afrua banesës ku jetonin deri para disa ditësh, mbrëmjen e së enjtes dhe ku tani qëndronin fëmijët e tij njëri 7 dhe tjetri 3 vjeçar, nën kujdesin e dajës së tyre (vëllai i gruas që ekzekutoi).

Emigranti tregoi se çdo natë ndërronte vend ku qëndronte, në fshatrat përreth zonës ku kishte jetuar me familjen e tij.

"Më kishte marrë malli për dy fëmijët e mi dhe nuk rezistova dot, u afrova në lagje për të parë bijtë e mi", - ka deklaruar 41-vjeçari për policinë.

Por malli rezultoi "kurth" për shqiptarin i cili është dalluar nga fqinjët dhe këta menjëherë lajmëruan policinë.

Në momentin e arrestimit, të dyshuarit iu gjetën dhe një palë rroba që pohoi se i mbante me vete për t'i ndërruar në rast se pikasej.

I dyshuari, para prokurorit pranoi se e kishte vrarë ai gruan, ndërsa paraqitej ende me shenja të dorës së lënduar. Kurse tregoi se thikën me të cilën qëlloi katër herë të shoqen, e kishte hedhur por nuk i mbahej mend se ku saktësisht.

Ngjarja

Gruaja 30-vjeçare shqiptare, nënë e dy fëmijëve të mitur, emigrante në Greqi, humbi jetën më 22 gusht të këtij viti, pasi u qëllua fatalisht me thikë. Ngjarja ndodhi në ishullin turistik Rodos në Greqi dhe policia deklaroi se po hetonte mundësinë e vrasjes së 30-vjeçares nga i shoqi, për motive xhelozie.

Familja shqiptare, jetonte në qytezën Afandu të Rodosit, në një banesë me qira ku edhe u gjet e vdekur, 30-vjeçarja shqiptare.

E ndjera, kishte pak kohë që jetonte në Rodos ku edhe kishte nisur punën në një biznes turistik.

Krimi ndodhi në momentet kur dy fëmijët e çiftit kishin shkuar në plazh me dajën e tyre.

Gruaja e re, u gjet e përgjakur në banesë, nga vëllai i saj i cili menjëherë njoftoi policinë, ndërsa u përfshi nga një gjendje shoku pas skenës me të cilën u përball.

Policia tha se viktima ishte therur me thikë. Autori, që doli se ishte i shoqi, e kishte qëlluar gruan në shtyllën kurrizore duke i shkaktuar dëmtim të pariparueshëm të organeve jetësore, me pasojë vdekjen e 30-vjeçares, pak orë pas marrjes së plagëve të rënda.

Policia tha se të gjitha provat dhe dëshmitë të çonin në një krim brenda familjes duke hetuar përfshirjen e bashkëshortit të të ndjerës në vrasjen e saj për motive pasionante (xhelozie).

n.s/e.l/NOA

KOMENTE