Prishtinë, 4 shtator NOA-Presidenti Fatmir Sejdiu i garanton siguri biznesit të huaj për investimet që mund të ofrojnë në Kosovë.
Sipas tij, kjo siguri rrjedh nga legjislacioni imirë, i standardeve evropiane, i cili ofron siguri të plotë për investimet e jashtme në Kosovë dhe garanci maksimale për ata që duan ta shtrijnë biznesin e tyre në Kosovë.
Ai i bëri këto komente gjatë një takimi që pati sot me një delegacion të Bankës Botërore, të kryesuar nga Juliana Oyegun, drejtoreshë për diversitet dhe Përfshirje nga Washington DC.
 Sipas Sejdiut, Kosova, si shtet i ri dhe me shumë sfida, ka vizion të qartë për prioritet e veta.
"Mund të themi se kemi projekte ambicioze në energjetikë, në agrikulturë, në edukim dhe në shëndetësi, ku parashikojmë të ketë investime të veçanta", tha Sejdiu.
Presidenti Sejdiu foli edhe për stabilitetin bankar në Kosovë, por sërish kërkoi që bankat ta ulin shkallën e interesit, e cila vazhdon të jetë më e larta në rajon.
m.i/NOA