Kampionati U-17 zhvillohet në Eliat të Izraelit. Nga tre medalje ari kanë fituar Daniel Godelli dhe Xhulio Prroni në Evropianin e 17-vjeçarëve vitin e shkuar
Tiranë, 8 Shtator NOA Update - Ka nisur në Eliat të Izraelit Kampionati i Shtatë Evropian i Peshëngritjes për 17-vjeçarët. Ai do të zhvillohet deri më 13 shtator 2009 dhe në të po merr pjesë edhe Shqipëria.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, në këtë eveniment të rëndësishëm, vendi ynë do të marrë pjesë me 8 sportistë, nga të cilët 7 meshkuj dhe një femër.
Peshëngritësit meshkuj janë konkretisht Romario Avdiraj i Flamurtarit, në peshën 56 kg, Arduen Hoxha i Elbasanit në peshën 62 kg, Daniel Godelli i Peqinit në peshën 69 kg, Krenar Sharaj i Flamurtarit në peshën 69 kg, Hysen Pulaku i Elbasanit në peshën 77 kg, Aleks Kaçani i Skënderbeut në peshën 77 kg, Xhulio Prroni i Vllaznisë në peshën 85 kg dhe e vetmja peshëngritëse femër do të jetë Sherjana Ruci, në peshën 63 kg.
Tetë kuqezinjtë e shtangës do të shoqërohen në Izrael nga katërshja e trajnerëve, Ali Lundraxhiu, Hysen Cenaj, Sami Pulaku e Genc Barkiçi, si dhe nga gjyqtari ndërkombëtar Përparim Ferunaj, i cili do të jetë pjesë e gjykimit në këtë veprimtari.
Sekretari Kraja shprehet i sigurt se përfaqësuesja jonë synon të fitojë disa medalje në këtë kompeticion, ku favoritë shihen sërish kampioni në fuqi i Evropës për U-17, Daniel Godelli, medalisti i argjendtë Xhulio Prroni, Hysen Pulaku, si dhe femra e vetme, Sherjana Ruci.
"Shpresat tona për të synuar realisht për medalja mbështeten edhe në faktin se dy pjesëtarë të kontingjentit aktual, Godelli dhe Prroni, shkojnë në edicionin e këtij viti pasi kanë fituar përkatësisht 3 medalje ari dhe 3 argjendi në edicionin e vjetshëm të këtij konkurrimi, - ka theksuar Kraja.
Ndërkaq, premtues mbeten edhe Pulaku dhe Ruci, ndonëse nuk përjashtohen rezultatet pozitive edhe nga 3 të tjerët, por kjo do të varet nga konkurrenca në peshën e tyre.
Nisur nga rezultatet e arritura në garat e fundit në arenën ndërkombëtare që kanë shënuar sportistët tanë, Kraja thekson se shanset janë të mëdha për të hyrë në zonën e medaljeve. Sfida kryesore e shtangistëve kuqezinj në këtë veprimtari do të vijë nga peshëngritësit turq, nga ata rusë, si dhe nga peshëngritësit e vendeve ish-sovjetike, si Bjellorusia, Armenia, Azerbajxhani, e të tjera.
Delegacioni do të niset drejt Izraelit pasditen e 6 shtatorit dhe do të kthehet në Shqipëri një javë më pas.
Ja grupi kuqezi në Evropianin U-17:
Meshkuj:
Sportisti Klubi Pesha
Romario Avdiraj Flamurtari 56 kg
Arduen Hoxha Elbasani 62 kg
Daniel Godelli Peqini 69 kg
Krenar Sharaj Flamurtari 69 kg
Hysen Pulaku Elbasani 77 kg
Aleks Kaçani Skënderbeu 77 kg
Xhulio Prroni Vllaznia 85 kg
Femra:
Sportisti Klubi Pesha
Sherjana Ruci Tirana 63 kg
Trajnerë:
Ali Lundraxhiu
Hysen Cenaj
Sami Pulaku
Genc Barkiçi
Gjyqtar ndërkombëtar:
Përparim Ferunaj