English

Pinin kafe në lokal, makina i merr me vete duke plagosur 5 klientë

Durrës, 4 shtator NOA - Disa prej klientëve të lokalit buzë rrugës në lagjen nr 4 të Durrësit, nuk ua kishte prerë mendja kurrë se duke pirë kafen e mëngjesit nën shoqërinë e miqve të tyre, do të përfundonin në spital me fraktura, pasi një makinë i përfshiu nën rrota.

Ngjarja e rrallë ndodhi në orën 08.00 të mëngjesit, kur një automjet i markës "Benz" me targë DR 8577 C, ka dalë nga rruga duke u përplasur në anën e djathtë të trotuarit, në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar dhe ka aksidentuar 5 persona.

Burime hetimore i thanë agjencisë së lajmeve NOA se automjeti i drejtuar nga Nadir Dushaj, 51 vjeç, ka devijuar nga rruga duke dëmtuar disa karrige dhe tavolina të një lokali aty pranë dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur Ilmi Z., 48-vjeç, Kosta k., 69-vjeç, Artan M., 38-vjeç, Shefqet D., 20-vjeç dhe Irakli P.

Sipas burimeve të policisë mësohet se të aksidentuarit janë transportuar për në spitalin e Durrësit ku kanë marrë mjekimin e nevojshëm. Bluzat e bardha u shprehën se lëndimet nuk paraqisnin asnjë rrezik për jetën e të plagosurve.

Pas hetimeve paraprake, policia ka vendosur të nisë procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Nadir Dushajt, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

/f.sh/NOA/

KOMENTE