Tiranë, 4 shtator NOA-Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur pasditen e sotme rreth orës 19 në selinë rozë për të diskutuar mbi qëndrimin që do të mbajë kjo forcë politike nëse do të hyjë apo jo në parlament.
Mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste mbahet në një kohë kur në PS janë ravijëzuar dy qëndrime të ndryshme për zgjedhjet dhe pjesëmarrjen në kuvend.
Burime brenda selisë rozë bëjnë të ditur se kryetari dhe mbështetësit e tij do t'i paraqesin zyrtarisht kryesisë për miratim një rezolutë ku veçohet mospjesëmarrja ne kuvend, si dhe kushtet që socialistët do t'i vendosin shumicës për të marrë pjesë në kuvend.
Një prej tyre është ngritja e komisionit hetimor për hetimin e asaj që socialistët e quajnë krim elektoral të 28 qershorit, por edhe disa kushte të tjera siç është dhe kthimi në punë i të gjithë të larguarve për arsye politike.
m.i/NOA