English

Sekuestrohen 300 steka cigare kontrabandë, arrestohet autori

Gjirokastër, 4 shtator, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një automjetet po transportonte një sasi me steka cigare kontrabandë nga Kakavija për në Gjirokastër, kanë ushtruar një kontroll në hyrje të qytetit jugor, në pjesën e rrugës nacionale.

Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip Benz, me targë GJ 72 93 A dhe drejtues Arben Pulerin, 36-vjeç nga qyteti i Gjirokastrës rezultoi se në bagazhin e këtij automjeti janë konstatuar 6 koli me cigare të markës "Marlboro", me mbishkrimin "Duty Free", gjithsej 3.000 (tremijë) copë paketa .

Ky person këto paketa i kishte blerë në "Duty Free" në Kakavije nga toka greke dhe i kishte futur këto paketa në territorin shqiptar në mënyrë kontrabandë nëpërmjet pikës së Kakavijës duke shmangur detyrimin doganor.

Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura, u sekuestruan paketat dhe automjeti në cilësinë e provës materiale, si dhe u bë arrestimi në flagrancë i personit të lartpërmendur për veprën penale të "Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë", parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE