English

Vështirësitë e Barak Obamës

Njerëzit duartrokasin të ngazëllyer. Ndryshime, reforma, një Uashington pa lobistë. Janë sloganet e Obamës që ngazëllejnë njerëzit, por të shprehura nga Green këto slogane duken si një kritikë në adresë të tij. Njerëzit duket se nuk janë më të sigurt nëse Obama e ka pasur seriozisht kur i ka përmendur këto gjëra gjatë fushatës. Ata ende dëshirojnë t'i ndihmojnë, por ai nuk është më aq i afërt siç ka qenë gjatë fushatës

Nga "Die Welt" Janë tubuar para Capitol Hillit, ndërtesës së bardhë të Parlamentit në zemër të kryeqytetit të SHBA-së, duke mbajtur qirinj në duar. "Nuk mund të presim më gjatë", është mbishkrimi në pankartat e tyre. Të rinj, të moshuar. Turma prej 150 të tubuarve i ngjason grupit të ithtarëve të presidentit Barak Obama në fushatë.

Ata demonstrojnë në mbështetje të projektit të Obamës për sigurim shëndetësor për të gjithë amerikanët, njëjtë si edhe qindra grupe tjera anembanë SHBA-së.

Por, pastaj para të tubuarve del për të folur Iris Green, një afro-amerikane, e cila e ka mbështetur Obamën gjatë gjithë fushatës së tij presidenciale.

Por, ajo tërheq vërejtjen: "Obama duhet të tregojë guxim. Ai duhet të angazhohet me vendosmëri për realizimin e planit të tij për shëndetësi, kundër republikanëve, kundër lobistëve". Njerëzit duartrokasin të ngazëllyer. Ndryshime, reforma, një Uashington pa lobistë. Janë sloganet e Obamës që ngazëllejnë njerëzit, por të shprehura nga Green këto slogane duken si një kritikë në adresë të tij. Njerëzit duket se nuk janë më të sigurt nëse Obama e ka pasur seriozisht kur i ka përmendur këto gjëra gjatë fushatës. Ata ende dëshirojnë t'i ndihmojnë, por ai nuk është më aq i afërt siç ka qenë gjatë fushatës. Disa qindra metra më larg, këshilltarët e Obamës janë tubuar në Shtëpinë e Bardhë për ta planifikuar strategjinë e tij të re. Porosia gjatë fushatës për ndryshime tani po tejkalohet nga përditshmëria e vështirë politike. Pushimi veror në gusht i ka dhënë një goditje të re Obamës.

Votuesit e djathtë në tërë vendin protestuan kundër reformave të tij në fushën e shëndetësisë, të cilat mund t'i kushtojnë administratës deri në një miliard dollarë. Deri më 15 shtator është paraparë që një Komiteti i Kongresit ta përgatitë propozimin e ri, por analistët nuk besojnë se Komiteti do të jetë në gjendje t'i përmbahet këtij afati. Gati dy e treta e amerikanëve janë të mendimit se Obama nuk u ka shpjeguar atyre si duhet pikat kryesore të reformës së tij. Republikanët po organizojnë tubime masive për të protestuar kundër borxhit të shtuar shtetëror dhe kundër shpenzimeve për financimin e projekteve të shëndetësisë.

Edhe shifrat tjera nuk janë aspak pozitive për Shtëpinë e Bardhë. Është e vërtetë se ekonomia ka filluar të këndellet, por shkalla e papunësisë mbetet e lartë.

Në Afganistan, gjatë gushtit janë vrarë më së shumti amerikanë që nga fillimi i luftës, në vitin 2001. Komentuesit tashmë kanë nisur të shkruajnë për "Vietnamin e Obamës". Ajo që është më e keqja, mbështetja për Obamën ka rënë nën 50 për qind. E djathta është e tërbuar, e majta ka filluar të ankohet si në rastin e demonstruesve para Capitol Hillit. Ata frikësohen se Obama do të lëvizë kah qendra më shpejt se ç'duhet. "Ai ka bërë gabime dhe e ka humbur kontrollin. Nuk është qartësuar se për çfarë në të vërtetë angazhohet ai", theksoi Norman Birnbaum, sociolog në Universitetin Georgetown, në Uashington. Tani Obama planifikon që javën e ardhshme ta mbajë një fjalim para Kongresit për të joshur përkrahje për reformat e tij. "Presidenti do të jetë energjik. Koha po ecën", theksoi këshilltari i Obamës, David Axelrod. Por, vetëm retorika me gjasë nuk do të mjaftojë. "Amerikanët nuk dëshirojnë fjalime, ata dëshirojnë të kenë një plan", theksoi zyrtari më i lartë i republikanëve, John Boehner. Obama, me gjasë, gjatë fjalimit do t'i ofrojë koncesione kundërshtarëve të reformave të tij. Krahas gjendjes ekonomike, Shtëpia e Bardhë është tejet e brengosur edhe për situatën në Afganistan. Më shumë se gjysma e amerikanëve kanë theksuar se nuk e kuptojnë më domethënien e misionit amerikan në Afganistan. Grupet që angazhohen kundër luftës tashmë kanë vënë në qarkullim peticionin për tërheqje nga Afganistani.

KOMENTE