Tiranë, 5 shtator, NOA/ Intervista - Brenda Partisë Socialiste në Shqipëri janë qartësuar dy qëndrime, ai i përfaqësuar nga kryetari i saj Edi Rama dhe që kërkon bojkot të Kuvendit dhe ai i përfaqësuar nga anëtari i kryesisë, Ben Blushi që i bën thirrje deputetëve të PS të shmangin bojkotin.
Z.Blushi, sipas jush pse nuk duhet që socialistët të bojkotojnë Kuvendin?
- PS nuk duhet t'i kthehet traditës së bojkoteve në Shqipëri, të cilat ajo i ka dënuar në të shkuarën kur PD e kishte kthyer këtë në një cikël kronik. E dyta PS nuk ka arsye të mjaftueshme për të mos shkuar në Kuvendin e Shqipërisë. PS është futur në zgjedhje për të marrë pjesë në parlament, pavarësisht sesi do ishte rezultati i zgjedhjeve.
Ne nuk shkojmë në parlament vetëm kur fitojmë dhe nuk duhet të mos shkojmë atëhere kur humbim. Arsyeja e fundit është që PS do hyjë në një cikël krizash permanente në rast se nuk hyn në parlament duke mos përmbushur misionin për të cilën është votuar. Arsyet nuk janë të mjaftueshme, nuk janë arsye të PS, janë arsye personale të Edi Ramës.
Kryesia e PS u mblodh ndërsa OSBE/ODHIR nxjerr raportin për zgjedhjet. Nëse raporti i OSBE-ODHIR, thotë ‘ok" për zgjedhjet me gjithë problemet që mundet të raportojë dhe kryesia juaj vendosi për bojkot, ju si Ben Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, a do të veproni sipas vendimit të forumit të partisë tuaj, apo vetes tuaj?
- Unë jam i detyruar ta dëgjoj raportin e OSBE - ODHIR-it dhe sigurisht që me intereson mendimi i një arbitri relativisht të besueshëm të cilit ne gjithmonë i jemi referuar, por unë jam deputet i PS dhe pavarësisht se do jem kundër bojkotit në rast se kjo gjë vendoset, e kam thënë dhe do e përsëris që do e respektoj vendimin e shumicës brenda PS-së.
Vazhdoj të them që ky vendim nuk është bindës, është i ekzagjeruar, nuk është shumë i justifikueshëm dhe nuk është një vendim i cili premton të mira për opozitën e PS në parlament. Unë besoj që pushteti nuk merret dot në rrugë, por mund të merret në institucione dhe në institucionet e parlamentit të Shqipërisë ne kemi mundësi të bëjmë diferencën me qeverinë, kemi mundësi të themi atë që besojmë se kjo qeveri nuk mund ta nxjerri Shqipërinë nga kriza, nuk mund të avancojë reformat dhe po ashtu kemi mundësi për shkak të krizave të pritshme të kësaj qeveria që mund dhe të mos varen nga kjo qeveri, shumë shpejt në parlament mund të ketë ndryshime numrash të cilat ne në rast se ne nuk jemi, nuk mund t'i shfrytëzojmë.
Ju filluat të vlerësoni kështu edhe marrëveshjen e re mes PD-së dhe LSI-së. Politikisht çfarë është kjo marrëveshje sipas jush?
- Në radhë të parë kjo është një marrëveshje e detyruar nga numrat. Dy palë të cilat garuan jashtë nesh në zgjedhjet e 28 qershorit, vendosën të bashkoheshin me numrat e tyre për të krijuar një qeveri. Së dyti kjo marrëveshje është shtyrë nga interesi që dy forcat politike PD dhe LSI kanë për ta vënë në pozitë të vështirë PS-në. Së treti është fakti dhe e vërteta që ne nuk i kemi kërkuar koalicion LSI-së para dhe pas 28 qershorit dhe përsa kohë nuk i kërkuam koalicion numrash LSI-së, ajo vendosi të shkojë në krahun tjetër gjë për të cilën unë nuk mund të them dot sesa do jetë ndëshkuese për LSI-në, por sigurisht ky nuk ishte koalicioni për të cilën shqiptarët votuan në 28 qershor.
Për këtë jam i bindur, pavarësisht sesi rrodhën ngjarjet pas 28 qershorit qoftë për arsye të LSI apo dhe pak për arsyet tona. Duke thënë këtë gjë unë nuk e justifikoj aspak LSI-në, por në fund të ditës duhet ta pranoj se ky është një koalicion legal dhe Shqipëria duhet të mësohet me koalicione të tilla siç ndodh rëndom në vende të tjera të botës.
Kryetari i partisë tuaj z. Rama, i ka kërkuar asaj pjese të LSI-së që është kundra Ilir Metës, atyre të pestve dhe të tjerëve, të bashkohen me PS kundër kësaj qeverie, kundër kësaj marrëveshje. Si e vlerësoni këtë apel të kryetarit tuaj?
- Deri në njëfarë mase kur kjo thirrje nuk priret nga inati ditës është një thirrje relativisht e logjikshme. Këtë gjë PS e ka bërë në 4 vitet e shkuara. Kini parasysh që në vitin 2005 LSI doli me gati 120 mijë vota, në vitin 2009 përfundoi me gati 80 mijë vota, që do të thotë 1/3 e numrave të saj i ka marrë PS, pasi të dyja këto parti ndajnë pak a shumë të njëjtin fashë zgjedhësish. Kjo do të thotë që ndoshta ka shumë anëtarë, njërëz që kanë botuar për LSI-në që kanë arsye të jenë të zhgënjyer sepse votat e tyre shkuan për një qeveri me Sali Berishën, ata njerëz padyshim duhet të kenë një derë hapur në PS. Kjo është normale kur PS ka vetëm një rrugë për t'u kthyer në pushtet të zgjerojë elektoratin e saj majtas, gjë që jo në çdo rast e ka bërë.
Për t'u kthyer në pushtet sa më shpejt të jetë e mundur që do të thotë edhe me zgjedhje të parakohshme, a është politikani i së majtës Ben Blushi, partizan i kësaj formule?
- Nuk ka opozitar që nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme përfshirë dhe mua. Çështja është që ne sot ndahemi për mënyrën sesi mund të arrihen zgjedhjet e parakohshme. Unë nuk besoj se mund të arrijmë zgjedhje të parakohshme duke mos shkuar në parlament. Besoj se ka të tjera mundësi për të arritur në zgjedhje të parakohshme. PS duhet të njohë atë që ka ndodh në 28 qershor, të kuptoj se pse nuk ishte partia apo koalicioni i saj fitues dhe nëse PS ndryshon mendoj se ka rrugës shumë më shumë hapësirë për të zgjeruar aleancat e veta qoftë edhe në këtë parlament. Kjo do të ishte një rrugë besoj më e llogjikshme për të cilën ja vlen t'i besohet për të arritur herët apo vonë në zgjedhje të parakohshme, megjithëse po them atë që besoj është e vështirë të ketë zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, përpara zgjedhjeve lokale.
Pse pasi dhatë përshtypjen se do të kandidonit për kryetar të PS, themi befas u tërhoqët?
- Nuk e di si është perceptuar kjo gjë. Ka shumë njerëz që kanë besuar që unë do kandidoja për kryetar të PS. Unë hyjë tek ata njerëz që jam mësuar ta kontrolloj ambicien time, sidomos në raster kur konstatoj se nuk ka shumë terren për të investuar në këtë gjë.
PS, pas 28 qershorit u fut në një krizë që ende vazhdon dhe duket se do jetë pak e gjatë, u fut në këtë krizë për shkak të ambicies së shfrenuar të Edi Ramës për të mbajtur pozicionin në krye të PS-së, me çdo çmim, me çdo kusht duke shkelur jo vetëm normat e statutit të PS-së, duke rrëzuar preçedentët që kishim krijuar brenda PS sipas të cilit ai që nuk fiton largohet, por për më shumë se kaq e ka futur PS-në në një cikël të vështirë ku baza apo një numër i madh antarësh të PS-së po përdoren si mish për top kundër atyre që mendojnë ndryshe përfshirë dhe mua. Kjo ka ndodhur gati në 2 muajt e fundit dhe kam frikë se do vazhdoj kjo situatë. E theksoj frenoj ambicien time sidomos kur shikoj që kjo mund t'i japi kosto grupit politik ku unë bëj pjesë. Kjo është dhe një nga arsyet parimore që nuk mora pjesë në këtë garë që ka nisur keq dhe mesa duket do mbyllet keq.
Ju thatë dhe mendimin tuaj për garën që mësa duket do të vazhdojë megjithë tërheqjen tuaj apo të z. Malaj, midis z. Rama dhe z. Lakrori. Cili është mendimi juaj për këtë?
Kjo është një garë formale ku konkurojnë dy opsione të rëndësishme brenda PS. Është një formalitet, ne të gjithë e dimë rezultatin që Edi Rama do rizgjidhet në krye të PS-së, për të vazhduar atë që ka nisur duke e bërë më hermetike PS-në, duke ngushtuar bazën elektorale të saj, duke refuzuar të korrektojë ato ç‘ka ishin bërë keq në 28 qershor dhe duke refuzuar të korrektojë platformën e vet jo ideollogjike "Përtej të majtës dhe përtej të djathtës", duke krijuar një rreth dhe një klientelë mbështetësish në të gjithë forumet e PS-së, gjë e cila dyshoj se do na çoj larg në ciklet pozitive brenda PS-së.
BBC