Askund nuk ka korrupsion sikurse te krerët e partive e institucioneve të Kosovës dhe te grupet e interesit të lidhura për ta. Shpërputhja midis pagave të tyre dhe jetës që bëjnë e pasurisë së tyre që shihet, flet vetë. Askund nuk ka kontrabandë, krim të organizuar dhe kriminelë lufte sikurse në veri. Që të gjithë janë nën kontroll të MPB-së së Serbisë, e cila i paguan për punën që ata bëjnë. Po EULEX-i, çfarë bën ai? EULEX-i mbikëqyr, natyrisht
Nga Albin Kurti
Nëse EULEX-i do t'i përmbahej sinqerisht zotimit për luftimin e korrupsionit, kontrabandës, krimeve të luftës dhe krimit të organizuar, atëherë atij do t'i duhej t'i arrestojë partnerët e vetë. Në njërën anë, EULEX-it do t'i duhej t'i arrestonte politikanët kryesorë kosovarë, të cilët aq shumë para kanë përvetësuar përgjatë kësaj dekade të pasluftës, saqë imagjinata e tyre është e kufizuar për t'i shfrytëzuar të gjitha ato.
Ndërkaq, në anën tjetër, EULEX-it do t'i duhej t'i arrestonte strukturat paralele të Serbisë që janë përplot njerëz të MPB-së së Serbisë, e me të cilën EULEX ka paralajmëruar nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim policor. Gjithsesi, EULEX-i nuk i arreston bashkëpunëtorët e tij. Askund nuk ka korrupsion sikurse te krerët e partive e institucioneve të Kosovës dhe te grupet e interesit të lidhura për ta. Shpërputhja midis pagave të tyre dhe jetës që bëjnë e pasurisë së tyre që shihet, flet vetë. Askund nuk ka kontrabandë, krim të organizuar dhe kriminelë lufte sikurse në veri.
Që të gjithë janë nën kontroll të MPB-së së Serbisë, e cila i paguan për punën që ata bëjnë. Po EULEX-i, çfarë bën ai? EULEX-i mbikëqyr, natyrisht. Mbikëqyrësi është ai i cili kujdeset që punët të shkojnë vaj. Edhe atëherë kur makinat pa targa qarkullojnë në veri, kurse kamionët që hyjnë nga Serbia nuk paguajnë fare doganë. Edhe atëherë kur zhduken 48 kilogramë drogë nga dhoma më e sigurt e Policisë së Kosovës dhe askush as dorëheqje nuk jep. Por, pse atëherë EULEX-i premton luftimin e korrupsionit, kontrabandës, krimeve të luftës dhe krimit të organizuar? Pse zyrtarët e EULEX-it aq shpesh na i çajnë veshët nëpër media me këto gjëra që s'i bëjnë? EULEX-i është dyfish i pasinqertë. Ai premtonte për të fituar simpatinë e qytetarëve dhe për ta lehtësuar asisoj shtrirjen e tij në Kosovë.
Pra, EULEX-i e dinte se çfarë duan qytetarët e Kosovës, e dinte se çfarë u pëlqen qytetarëve të Kosovës të dëgjojnë dhe ai ua premtoi atë gjë për të mos e mbajtur premtimin mandej. Kjo e dyfishon krimin e EULEX-it. E kanë ditur se çfarë duan qytetarët, e kanë keqpërdorur këtë dhe pastaj kanë bërë diçka tjetër. Në Kosovë problem nuk është krimi i organizuar, por krimi i institucionalizuar. Organet e rendit dhe të sigurisë, në krye me EULEX-in, e kërkojnë krimin jashtë sistemit. Jashtë sistemit ato e gjejnë vetëm Lëvizjen VETËVENDOSJE!, të cilën e persekutojnë. Por korrupsioni, krimi i organizuar e ai i luftës dhe kontrabanda në Kosovë ndodhin e ndodhen përbrenda sistemit dhe sidomos në majat e tij. Krimi është në sistem dhe shpesh ai i shfrytëzon edhe mundësitë e sistemit. Në fakt, kur u zunë 48 kilogramë drogë nga Policia e Kosovës, krimi jashtë sistemit dështoi.
Mirëpo, ishte krimi brenda sistemit ai i cili e korrigjoi këtë: Policisë së Kosovës iu vodhën 48 kilogramë heroinë përderisa kjo po i ruante ato. As serbët në veri që hedhin granata dhe shtinë me armë zjarri në drejtim të punëtorëve e pronarëve shqiptarë, nuk janë jashtë sistemit. Ata janë në kuadër të strukturave të Serbisë, e cila nuk e pranon Kosovën e pavarur, siç nuk e pranon as EULEX-i. Baza e EULEX-it është plotësisht e favorshme për Serbinë. Rezoluta 1244, 6 Pikëshi i Ban Ki-moon-it dhe Veprimi i Përbashkët i Këshillit të BE-së i 4 shkurtit 2008, nuk i pengojnë Serbisë. Përkundrazi, ajo shpesh edhe thirret në këto. Prandaj, nuk ka se si EULEX-i ta cenojë Serbinë me funksionimin e tij në Kosovë përderisa baza e tij është e pranueshme për Serbinë dhe e volitshme për të. Kur Serbia ankohet kjo nuk do të thotë se Serbia po humbet diçka, por vetëm se ajo e ka parë shansin që mund të fitojë edhe më shumë. Më parë sesa për t'i korrigjuar institucionet e Kosovës, fuqitë ekzekutive EULEX-i i ka për t'i anashkaluar ato. EULEX-it i nevojiten fuqitë ekzekutive për një mori marrëveshjesh që do t'i bëjë me Serbinë e të cilat e di se janë të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën.
Pas Protokollit për bashkëpunimin policor vjen ai për bashkëpunimin në gjyqësi, mandej protokolli për dogana, të gjitha këto si realizim i 6 Pikëshit dhe njëkohësisht trasimi i rrugës së Serbisë drejt BE-së. Ndërkohë, krerët tanë institucionalë do të kujdesen që të mbahet e mbyllur tema e Protokollit dhe e protokolleve të ardhshme.
Sikur të ekzistonte vetëm një argument bindës pse ky Protokoll është i dobishëm për Kosovën, nuk do të kërkohej të shpallej e mbyllur tema e Protokollit të cilën Sejdiu e Thaçi e gjetën të hapur. Por, jo. S'ka argument të tillë. Andaj, Sejdiu e Thaçi, këta shpallës të mëdhenj, sikurse me rastin e shpalljes së pavarësisë, sikur me rastin e shpalljes së vdekjes së 6 Pikëshit, edhe kësaj radhe, e bënë një shpallje tjetër për të mos vepruar asgjë. EULEX-i i këtillë po e mbikëqyr veçse shtimin dhe trashjen e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. EULEX-i i këtillë po e mbikëqyr Kosovën jashtë BE-së, gjersa ndihmon Serbinë t'i afrohet BE-së. Kosova e këtillë po përfundon në situatën në të cilën të luftosh kundër EULEX-it e protokolleve të tij dhe të luftosh për sovranitet e pavarësi të plotë, është veçse e njëjta gjë e thënë dy herë.Â