English

Las Vegas, kryeministri Berisha nderohet me çmimin "Eisenhower Medallion"

Las Vegas, 5 shtator NOA-Organizata "People to People International" nderoi mbrëmë, gjatë një darke prestigjioze në Las Vegas të shtetit Nevada, kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha me çmimin ndërkombëtar "Eisenhower Medallion".

Mary Eisenhoëer, presidente e kësaj organizate, përshëndeti aktivitetin duke u shprehur se ky çmim i jepet Profesor Doktor Sali Berishës për kontributin që ka dhënë në krjimin e një klime paqësore mes Shqipërisë, vendeve të rajonit dhe komunitetit global.

 Përmes një videoje, kryeministri Berisha falënderoi organizatën për çmimin prestigjioz, duke e vlerësuar atë si një nder jo vetëm për të por edhe për shqiptarët në të gjithë botën. Ai tha se ishte nder i veçantë që ishte zgjedhur si shqiptari i dytë, pas Nënë Terezës të cilit i jepet ky çmim.

 Kryeministri Berisha nuk mori pjesë në ceremoninë e mbrëmshme për shkak të angazhimeve në formimin e qeverisë së re në Tiranë. Në emër të tij, çmimin e pranoi bashkëshortja e kryeministrit, zonja Liri Berisha e shoqëruar nga zëvendës ministrja e jashtme zonja Edit Harxhi.

 Duke pranuar çmimin zonja Liri Berisha falenderoi Organizatën people to People International dhe presidenten e saj zonjës Meri Eisenhower për çmimin dhënë bashkëshortit të saj, duke shtuar se kryeministri Berisha do ta vazhdojë me përkushtim punën e tij për përmirësimin e jetës së popullit shqiptar.

 Mes organizatorëve të ndarjes së çmimeve ishte edhe Genci Muçaj, një nga anëtarët e bordit të organizatës People to People International i cili tha se ky çmim nderon dhe vlerëson jo vetëm kryeministrin Berisha, por të gjithë shqiptarët kudo që janë.

 Çmimi prestigjioz Eisenhower Medallion është krijuar për nder të ish-presidentit të 34-t të Shteteve të Bashkuara, Dight D. Eisenhower. Ky çmim u jepet çdo vit personaliteteve të shquara, me famë botërore, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e paqes në botë.

 Disa prej personaliteteve që kanë fituar këtë çmim ndër vite janë: Nënë Tereza; Shkëlqesia e Tij Papa Gjon Pali i Dytë, Ish-presidentët e SHBA-ve Xhorxh Herbert Walker Bush, Jimmy Carter, Ronald Reagan etj.

 Qëllimi i People to People International është të promovojë mirëkuptim dhe miqësi nëpërmjet aktiviteteve edukative, kulturore dhe humanitare duke përfshirë shkëmbimin e drejtpërdrejtë të ideve dhe eksperiencave të njerëzve nga vende dhe kultura të ndryshme.

 People to People International ka në fokusin e vet rritjen e komunikimit ndërkulturor brenda çdo komuniteti, si dhe ndërmjet komuniteteve dhe kombeve të ndryshme. Toleranca dhe mirëkuptimi i përbashkët janë tema qendore. Edhe pse një organizatë jo-politike, "People to People International" mbështet vlerat dhe synimet bazë të themeluesit të saj, Presidentit Dwight D. Eisenhower, i cili e krijoi këtë organizatë, më 11 Shtator.

Â

Â

KOMENTE