Shkup, 5 shtator, NOA - Autoritetet e Shkupit së paku edhe për gjysmë viti do ta zgjasin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, sepse presin që disa kompani të njohura serbe së shpejti të investojnë në Maqedoni, njofton gazeta "Vreme", duke u thirrur në burime të besueshme brenda disa qarqeve në Shkup dhe Beograd.
Sipas saj, kjo mundësi është paralajmëruar pas vizitës së fundit të kryeministrit Gruevski në Beograd në të cilën kanë marrë pjesë dhjetëra biznesmenë maqedonas nga Maqedonia. "Në këtë takim është thënë se kompanitë serbe janë të gatshme të hyjnë në tregun maqedonas, nëse Maqedonia nuk i vendos marrëdhëniet diplomatike me Kosovën", shkruan gazeta.
Analisti, Albert Musliu thekson se qeveria e Maqedonisë në periudhën e fundit në mënyrë aktive është duke punuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Beogradin edhe në planin ekonomik, në llogari të marrëdhënieve me Kosovën.
"Kjo aspak nuk është mirë nëse merret parasysh fakti se Kosova është njëra nga shtetet e rralla me të cilat Maqedonia realizon suficit në shkëmbimet tregtare. Nuk mendoj se për ne Serbia është një "parajsë investuese", sepse edhe vet kërkon investime të huaja", ka thënë Musliu. Derisa zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi në intervistën për gazetën kosovare "Epoka e Re" ka thënë se shumë shpejt do të vendosen marrëdhëniet midis dy vendeve, shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski gjatë kësaj jave ka refuzuar të përgjigjet rreth çështjes së zvarritjes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.
Autoritetet zyrtare pranë presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu kanë theksuar se presin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shkupin dhe hapjen e ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë, e cila aktualisht vepron si zyrë për ndërlidhje.Â
NOA-INA
Â