English

Mbytet anija turistike në liqenin e Ohrit, konfirmohen të paktën 10 të vdekur

Ohër, 5 shtator NOA - Më shumë se dhjetë persona sot janë mbytur sot, kur anija turistike "Ilinden" u fundos në rreth 200 deri 300 metra nga bregu i ujërave të Liqenit të Ohrit, në afërsi të autokampit "Eleshec".

Druhet se numri i viktimave mund të jetë më i madh, thanë autoritetet maqedonase. Anija, mësohet se kishte transportuar një grup prej pesëdhjetë turistësh nga Bullgaria.

Burime jozyrtare që citon agjencia e lajmeve të Shkupit, MIA, thanë se është në vijim aksioni për nxjerrjen e trupave të viktimave.

Autoritetet thanë se janë angazhuar ekipe të policisë së liqenit me barka, ekipe të zhytësve specialë dhe të gjitha automjetet e ambulancave, me të cilat disponon shërbimi për ndihmë urgjente në Ohër.

Shkaqet e aksidentit ende nuk janë të qarta, ndërsa vendi është i siguruar nga policia, e cila nuk lejon qasje. Në vendin e aksidentit pritet të mbërrijë ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski.

Të parët në ndihmë të udhëtarëve në anijen e fundosur kanë ardhur persona nga autokampi me barkë, të cilët kanë arritur të shpëtojnë një pjesë të madhe të tyre.

e.n/NOA

KOMENTE