English

Prifti: Unë, ministër i Ekonomisë, ku nuk pajtohem me qeverinë "Berisha"

Nga Rajmonda Lajthia/ Në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve NOA, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti i cili pritet të jetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, tregon pikat me të cilat nuk pajtohet me qeverinë "Berisha" dhe prioritetet e punës si ministër

Tiranë, 5 Shtator NOA - I përcaktuar nga marrëveshja Meta-Berisha, për të drejtuar ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, gjatë një interviste ekskluzive për Agjencinë e Lajmeve NOA tregon se ka disa teza të ndryshme, nga ato të qeverisë "Berisha" të 4 viteve të shkuara.

Prifti thekson se i mbetet qëndrimit kritik të deklaruar publikisht, se OSSH-ja u shit me një çmim të lirë, por duke folur tashmë në pozicionin e njeriut që pret të drejtojë ministrinë e Energjetikës, Dritan Prifti premton të rishikojë kontratën e shitjes, me synim përmirësimin por jo anulimin e saj.

"Është e vërtetë që kam qenë kritik ndaj këtij privatizimi, pasi është shitur realisht lirë, por në kushtet e sotme kur unë të filloj punën do të rishikoj këtë kontratë në se ka vend për përmirësime dypalëshe. Në ditët e sotme, ne duhet t'i japim biznesit optimizëm dhe jo shembuj negativë, ndaj nuk mund të flasim për aullime kontrate"- u shpreh Prifti.

Ndërsa për sistemin energjetik Prifti tha se qeveria ka dështuar me kontratat konçesionare.

Sipas ish-drejtorit të KESH, në kohën kur qeveriste Ilir Meta, një ndër kohët më të rënda në furnizimin me energji për vendin, janë dhënë mbi 100 leje për ndërtimin e hidrocentraleve, por vetëm 2-3 prej tyre kanë nisur punën.

"Unë do të monitoroj rreptësisht këto leje dhe do të vendos afate konkrete për fillimin e investimit të tyre".

Pavarësisht se qeveria "Berisha" ka nisur të konkretizojë nismën ligjore për ndërtimin e një centrali bërthamor në vend, kandidati për ministër e vlerëson këtë nismë, si të parakohshme.

Sipas Priftit, "centrali bërthamor nuk është një zgjidhje afatshkurtër, ndaj nuk mund të jetë pjesë e prioriteteve tona".

"Nuk jam kundër kësaj ideje, - tha Prifti, por realizimi i këtij projekti do të kërkojë minimalisht 10 vjet kohë.

Lidhur me debatin e ekspertëve të ekonomisë për prezencën e Fondit Monetarë Ndërkombëtar, Prifti u shpreh se ky institucion i duhet ekonomisë shqiptare.

Në një kohë që qeveria "Berisha" i ka thënë lamtumirë këtij institucioni, kandidati për ministër shprehet se FMN duhet për të çertifikuar treguesit ekonomik, ndaj duhet të jetë partneri i qeverisë.

Pas dekretimit nga Presidenti, e votëbesimit në Parlament, ditët e para të punës për ministrin e ri do të jenë konsultime të vazhdueshme me komunitetin e biznesit.

Rritja ekonomike sipas tij nuk duhet mbështetur tek fondet e buxhetit të shtetit, por tek biznesi.

"Projekti ynë i përbashkët me qeverinë "Berisha" është që të kthejmë ekonominë nga konsumuese në prodhuese. Kjo situatë do të realizohet vetëm duke i konsideruar partnerë sipërmarrësit privatë dhe duke i ofruar atyre lehtësirat e nevojshme", - përfundon Prifti, intervistën dhënë për Agjencinë e Lajmeve NOA.

/r.l/e.l/NOA/

KOMENTE