English

Ditë Zie pas tragjedisë në Ohër, gjykata 30 ditë burg kapitenit të anijes

Shkup, 6 shtator NOA/MIA - Gjykatësi hetues nga Gjykata Themelore në Ohër i caktoi masë paraburgimi në afat prej 30 ditësh, kapitenit të anijes "Ilinden", Sotir Fileski.

Ndërkohë, Qeveria e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë mbrëmë në seancë të jashtëzakonshme vendosi që dita e sotme të shpallet ditë zie, për shkak të fatkeqësisë së djeshme në ujërat e Liqenit të Ohrit, në të cilën e humbën jetën 15 vetë.

Të gjitha manifestimet publike të caktuara për sot janë anuluar, ndërsa flamujt janë lëshuar në gjysmë shtizë.

Fatkeqësia ndodhi dje rreth orës 11. Anija "Ilinden" është fundosur për 4 minuta prej orës 10:33 deri 10:37 minuta.

Sipas rezultateve të para nga hetimi tregojnë se shkak për mbytjen është shkëputja e litarit të timonit, që ka shkaktuar kthimin e anijes në anën e djathtë, nga e cila instiktivisht udhëtarët kanë kaluar në anën e kundërt, pas çka anija është mbushur me ujë dhe është përmbytur.

Në anijen "Ilinden" në momentin e fatkeqësië janë transprotuar 57 persona, numri më i madh i të cilëve turistë bullgarë.

Pesëmbëdhjetë udhëtarë kanë humbur jetën, ndërsa 42, mes të cilëve edhe dy anëtarë të bordit e kanë mbijetuar fatkeqësinë.

Gjashtë persona janë plagosur, nga të cilët katër pas dhënies së ndihmës mjekësore janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa dy janë mbajtur në spitalin e Ohrit, por nuk janë në rrezik për jetën, pohuan për MIA-s nga MPB-ja.

Trupat e 15 të vdekurve janë dërguar në spitalin e Ohrit, ku duhet të kryhet autopsia.

Në vendin e ngjarjes erdhën presidenti Gjorge Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski. Në Ohër mbërriti edhe një delegacion qeveritar bullgar, si dhe presidenti i Bullgarisë, Georgi Përvanov, të cilët i vizituan turistët e mbijetuar bullgarë.

Përvanov pati takim me Ivanovin, i cili e informoi për të gjitha njohuritë e deritanishme lidhur me ngjarjen dhe me këtë rast paralajmëroi se do të vazhdojë zbatimi i shpejtë i të gjitha veprimeve të nevojshme që të vërtetohen rrethanat që kanë dërguar deri në tragjedi, si dhe t'u ndihmohet të plagosurve dhe t'u ofrohet mbështetja e nevojshme familjeve të të vdekurve.

Gjatë ditës së sotme, me kërkesë së Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, duhet të mbërrijnë ekspertë nga Kroacia dhe Bullgaria, të cilët do të ndihmojnë rreth sqarimit të të gjitha shkaqeve që kanë sjellë deri në këtë fatkeqësi, ndërsa njëkohësisht do të vazhdojnë procedurat hulumtuese dhe do të ndërmerren të gjitha masat dhe procedurat ligjore për sqarim të mëtejshëm të tragjedisë.

KOMENTE