English

Presidenti Topi përshëndet deputetët e rinj: Populli pret një të ardhme më të mirë

Tiranë, 6 shtator NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi përshëndeti sot deputetët e rinj, një ditë para fillimit të punimeve të Kuvendit të Ri.

"Unë jam besimplotë se ju do të dini ta përmbushni me përkushtim këtë mision të rëndësishëm në një dimension të ri demokratik edhe sepse në radhët tuaja ka më shumë zonja të nderuara, të cilat do të pasurojnë përvojën e deritanishme me më tepër tolerancë e mënyrë sjelljeje civile" iu drejtua publikisht deputetëve të rinj, Presidenti Topi.

Më tej Topi përgëzoi dhe qytetarët shqiptarë të cilët sipas tij dëshmuan përgjegjësi politike, pjekuri, mençuri të admirueshme nëpërmjet pjesëmarrjes së lartë, e sidomos mënyrës civile e demokratike të sjelljes, me shpresën e besimin se përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë do të mishërojnë interesat e tyre dhe do të luftojnë më mirë për t'i mbrojtur ato.

Topi u shpreh se beson që tu rikthejë shqiptarëve besimin e humbur te politika.

k.k/NOA Më poshtë vijon fjala e plotë e Presidentit të Republikës Bamir Topi

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Është një nder i veçantë për mua t'ju drejtohem sot me rastin e fillimit të punimeve të Kuvendit të Ri, të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme politike. Më 28 qershor, në këtë ditë të shënuar, qytetarët e vendit tonë dëshmuan përgjegjësi politike, pjekuri, mençuri të admirueshme nëpërmjet pjesëmarrjes së lartë, e sidomos mënyrës civile e demokratike të sjelljes, me shpresën e besimin se përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë do të mishërojnë interesat e tyre dhe do të luftojnë më mirë për t'i mbrojtur ato. Duke i përgëzuar, shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për gjithë popullin shqiptar, i cili 28 qershorin e memorizoi si ditën e qytetarisë, të denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian. Të nderuar deputetë, Kuvendi i Shqipërisë është tempulli kombëtar i debatit politik ku ju duhet të zhvilloni angazhimin qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare pluraliste, për të ballafaquar politikisht vizionet, për të ndarë publikisht përgjegjësitë e respektin pozitë-opozitë, por sidomos për të bashkëbiseduar me njerëzit me përgjegjësinë e madhe politike, për t'u shërbyer atyre në katër vjetët e ardhshme. Unë jam besimplotë se ju do të dini ta përmbushni me përkushtim këtë mision të rëndësishëm në një dimension të ri demokratik edhe sepse në radhët tuaja ka më shumë zonja të nderuara, të cilat do të pasurojnë përvojën e deritanishme me më tepër tolerancë e mënyrë sjelljeje civile. Të nderuar deputetë, Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë çast drejt rrugës së prosperitetit.

Populli shqiptar pret me padurim një të ardhme akoma më të mirë. Sfidat, sikurse përgjegjësitë, janë të mëdha si në angazhimet politiko-institucionale, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Së bashku, duke iu larguar interesave të ngushta, duke menduar si shtetarë të përgjegjshëm, duhet të punojmë që Shqipëria të mbyllë përfundimisht vitet e vështira të tranzicionit politik dhe të forcojë themelet e qëndrueshme të një shoqërie demokratike ku liria, respekti ndaj vlerave e meritave, të kthehen në çelësin e suksesit dhe sigurinë për të ardhmen e këtij vendi. Vetëm vullneti i përbashkët mund ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një terren debati profesional e konstruktiv dhe jo në arenë beteje politike shterpë. Shpejtësia integruese në Bashkimin Evropian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor, për barazinë e vërtetë politike, për një drejtësi të standardeve europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës, për të përsosur institucionalisht ndarjen dhe respektin e ndërsjellë të pushteteve e pavarësinë e tyre, për të ndërtuar ligje që zgjidhin probleme në mënyrë të drejtë, profesionale dhe efektive. Sigurimi i jetës së qytetarëve, forcimi i rendit, arsimimi cilësor i fëmijëve tanë, reformimi bashkëkohor i sistemit shëndetësor, përballja me efektet negative të krizës ekonomike globale dhe lufta kundër varfërisë janë disa nga betejat ligjore që Kuvendi duhet të fitojë gjatë mandatit të tij. Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë. Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhëtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur tek politika e politikanët. Si vend anëtar i NATO-s duhet të jemi shumë të vëmendshëm e të besueshëm në zotimet tona individuale, rajonale e globale. Ballkani Perëndimor ndodhet në një proces të pakthyeshëm integrimi, falë edhe një angazhimi të rëndësishëm partneriteti të Shqipërisë me miqtë e aleatët e vjetër dhe të rinj. Unë kam bindjen se Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë procesin e konsolidimit të shoqërisë demokratike në Republikën e Kosovës dhe atë të njohjeve të reja ndërkombëtare, do të garantojë vazhdimësinë e politikave të fqinjësisë së mirë dhe do të mbështesë bashkëpunimin e dialogun politik me vendet e rajonit. Dëshiroj sot të rikonfirmoj se Presidenti i Republikës do të vazhdojë të përmbushë misionin e tij si garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si ruajtës i respektimit të ligjit dhe i interesave të shtetasve të këtij vendi, si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Duke ju uruar suksese në misionin tuaj fisnik, mbetem me besimin se Kuvendi i Ri i sapozgjedhur, do të përmbushë me përgjegjësi detyrimin e tij kushtetues, ligjor, kombëtar dhe qytetar në shërbim të popullit shqiptar.

KOMENTE