Ekspozita e përbashkët e Zake Prelvukajt, Ismet Jonuzajt dhe e Rudina Xhaferit është fryt i bashkëpunimit dhe këmbimeve kulturore mes krijuesve suedezë dhe atyre shqiptarë
Nga Suedia, Ramadan ReshitajÂ
Malmoe, SUEDI, 6 shtator NOA - Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit kulturor në mes të artistëve figurativë suedezë dhe atyre kosovarë, në Växjö të Suedisë është hapur një ekspozitë e përbashkët e piktorëve akademikë të Kosovës.
zake Prelvukaj, Ismet Jonuzi dhe Rudina Xhaferi ishin protagonistë të hapjes së kësaj ekspozite këto ditë, në ambientet e Qendrës Kulturore "Italienska Palaset" të qytetit universitar të Växjös, në praninë e dashamirëve kulturor suedezë e shqiptarë.
Hapjen e ekspozitës, e cila do të mund të vizitohet deri më 25 shtator, e bëri profesori i Universitetit të këtushëm, Harald Nikcklasson.
Rose Mari Bäck, e cila është përgjegjëse për këmbime kulturore në kuadër të Italienska Palatset, tha se e ndien vetën shumë të gëzuar se kanë arritur të realizojnë këmbimin e planifikuar kulturor me krijuesit kosovarë. "Vitin e kaluar, - tha ajo, - në kuadër të këtij bashkëpunimi, që është inicuar nga piktori kosovar Shyqri Gjurkaj, i cili jeton dhe krijon këtu në qytetin tonë, 13 artistë figurativë nga Växjö kemi pasur nderin që të vizitojmë Kosovën dhe të ekspozojmë punimet tona në Galerinë e Arteve të Kosovës".
"Gjatë qëndrimit tonë në Kosovë, - vijoi zonja Back, - unë dhe kolegët kemi përjetuar plagët dhe dhimbjet në të cilat ka kaluar Kosova gjatë dhe para luftës së fundit. Kjo ekspozitë e përbashkët e piktorëve Zake Prelvukaj, Ismet Jonuzi dhe Rudina Xhaferi, në të vërtet është kthim i vizitës dhe thellim i bashkëpunimit tonë të ndërsjellë".
Një pjesë e krijimeve të ekspozuara nga këta piktorë reflekton përjetimet e vështira të kosovarëve, por kjo është bërë në mënyrë mjeshtërore dhe nuk ka ngjyrime të drejtpërdrejta politike.
Së bashku me kolegun Shyqri Gjurkaj, Rose Mari Bäck tha se shpreson se këto këmbime kulturore do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
/r.r/e.l/NOA/