English

Alarmohet biznesi: Bankat kanë rritur tarifat e transaksioneve

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 7 shator, NOA - Komuniteti i biznesit ka denoncuar sot se disa prej bankave të nivelit të dytë, kohët e fundit kanë rritur komisionet bankare për transaksionet.

Rritja e tyre është vënë re edhe për individët që kanë një kartë debiti dhe ata që tërheqin pagën mujore.

Në kushtet kur qeveria ka vendosur detyrimin ligjor që 90 % e pagesave vjetore të biznesit duhet të kalojnë nëpërmjet bankave, rritja e komisioneve është një kosto shtesë.

Drejtori i Konfindustrisë Stefan Pinguli shprehet se bizneset janë duke rishikuar humbjet që vijnë si pasojë e këtyre kostove shtesë.

Sipas tij, qeveria e ka vënë me detyrim që çdo pagesë mbi 25 mijë lekë duhet të kalojë nëpërmjet bankave.

Ndaj 1.5 apo 2% e tarifave që mbajnë si komision bankat janë kosto që po të mblidhen bëjnë një shumë të konsiderueshme.

Ndërsa Konfindustria ka kërkuar që qeveria të ndërhyjë për të rishikuar këtë detyrim ligjor të pagesave të biznesit, pasi bankat janë private.

Everest Musta, drejtues i një banke private, thotë se ka disa banka që janë në kërkim të tregut dhe operojnë me komisione vërtet të ulëta, ndërsa ka banka të mëdha që nga niveli i lartë i transaksioneve kanë vendosur të rrisin komisionet.

"Unë i mirëkuptoj pasi ky shërbim ka një kosto që çdo bankë e llogarit vetë atë"- u shpreh Musta ku sipas tij komisionet bankare në vendin tonë mund të konsiderohen të ulëta.

Ndërsa ekonomistët e vlerësojnë këtë situatë si të papranueshme, jo për ndryshimin e tarifave, por për mënyrën se si bankat po reagojnë ndaj klientëve pa i njoftuar më parë ata për rritjen e tyre.

Gjergj Filipi fajëson Bankën e Shqipërisë si institucionin i cili ka për detyrë të kontrollojë sistemin bankar.

Kostot financiare shtesë që bizneset dhe qytetarët paguajnë për komisionet bankare shkojnë për të përmirësuar bilancet e bankave të cilat, duhet thënë se janë tkurrur për shkak të mungesës së kredidhënies dhe sidomos rrezikut që kërcënon sistemin bankar, kreditë e këqija.

r.l/f.sh/NOA

KOMENTE