English

Ambasadorja e Britanisë së Madhe: Nga se u zhgënjeva në zgjedhje

"Ka patur parregullsi - probleme para-zgjedhore me politizimin e strukturave shtetërore dhe pas ditës së zgjedhjeve tension, ndërhyrje dhe vonesa në procesin e numërimit. Kjo është zhgënjyese sidomos për një vend të sapo anëtarësuar në NATO dhe një vend aspirant për në BE"

Nga Skënder Minxhozi

E morët detyrën e ambasadores në Shqipëri në një moment politik delikat për vendin, në prag të zgjedhjeve të qershorit. Me çfarë përshtypjesh i shoqëruat këto zhvillime? Sa e ndryshme, krahasuar me ditët e para, është ideja juaj për vendin tonë pas këtyre muajve qëndrimi në Shqipëri? Është e qartë se arrita këtu në një moment interesant politik, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Por erdha edhe me një sens shumë të qartë të trashëgimisë së pasur dhe potencialit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë. Para se të merrja detyrën kalova një muaj në Shkodër duke mësuar gjuhën shqipe - dhe eksploruar Veriun. Atje, në Fakultetin e Gjuhëve dhe më përpara në Londër, takova shumë të rinj shqiptarë shumë të talentuar dhe dinamikë; të arsimuar dhe të dëshpëruar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre në Shqipëri, dhe si pjesë e Bashkimit Evropian. Kështu arrita në Tiranë e bindur për potencialin e këtij vendi - sidomos potencialin njerëzor. Ky mendim nuk ka ndryshuar. Vetëm është forcuar pasi kam takuar akoma më shumë shqiptarë dhe jam njohur me eksperiencat dhe historitë e jetës së tyre. Natyrisht zgjedhjet kanë qenë fokusi kryesor për mua dhe qeverinë time, por jo fokusi i vetëm. Gjithsesi, bindja ime për potencialin e Shqipërisë qëndron e fortë. Besoj se pas tre muajsh këtu, shqetësimi im është nëse Shqipëria po e mbështet plotësisht këtë potencial dhe energji. Kam takuar shumë të rinj shqiptarë që janë të zhgënjyer nga politika dhe ritmi i reformave. Po, vërtet Shqipëria ka bërë rrugë të gjatë që nga rënia e regjimit të mëparshëm. Po vërtet që ka progres. Por mund të mos jetë duke ecur aq shpejt sa pritshmëria dhe aspirata e disave - sidomos e të rinjve. Ndjesia ime është se ka dëshirë të madhe për ndryshim pozitiv - prandaj shpresoj se qeveria e re dhe parlamenti i ri do ta kapin këtë iniciativë. Votimet e 28 qershorit nxorën fitues koalicionin e z. Berisha me z. Meta, kurse opozita socialiste pësoi një humbje të cilën vazhdon ta kontestojë. Cili është pozicioni i juaj dhe i qeverisë britanike për parregullsitë që u vunë re në zgjedhje? Ende po presim raportin final të ODIHR për zgjedhjet e qershorit. Ata janë ekspertët dhe raporti i tyre do të ketë rol thelbësor në pikëpamjen e qeverisë time mbi procesin elektoral. Mbretëria e Bashkuar, është dhe ka qenë e fokusuar në integritetin e procesit elektoral, para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Rezultatet, sigurisht, janë për t'u vendosur apo kundërshtuar nga qytetarët shqiptarë, dhe jo nga ne të huajt. Pa dyshim, në ditën e zgjedhjeve shumë votues dhe nëpunës të administrimit të zgjedhjeve treguan angazhimin e tyre për një proces demokratik - këtë e pashë personalisht, sepse vizitova qendra votimi brenda dhe jashtë Tiranës. Por siç e kanë theksuar raportet paraprake të ODIHR, ka patur parregullsi - probleme para-zgjedhore me politizimin e strukturave shtetërore dhe pas ditës së zgjedhjeve tension, ndërhyrje dhe vonesa në procesin e numërimit. Kjo është zhgënjyese sidomos për një vend të sapo anëtarësuar në NATO dhe një vend aspirant për në BE. Dhe ky është shqetësim për mua dhe Qeverinë time, që presim me padurim të shohim plotësimin e ambicies së Shqipërisë për anëtarësim në BE. BE ka caktuar kritere të qarta për anëtarësim. I mbetet vendeve aspirante që të arrijnë standarde evropiane - dhe jo standarde relative. A mund të thuhet se standardet demokratike nuk u respektuan në këto zgjedhje? Si i komentoni deklarimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, se një e treta e procesit të numërimit në qendrat e vrojtuara, ka ecur keq ose shumë keq? Siç e kam thënë, nuk do të paragjykoj raportin final të ODIHR. Vlerësimi i plotë final do të publikohet së shpejti dhe do të japë mendimin e ekspertëve. Do të vendosë në një kontekst më të gjerë vëzhgimet e tyre paraprake, duke përfshirë edhe ato të procesit të numërimit. Siç dihet raportet shifrore që dolën nga zgjedhjet do t'i japin formë një qeverie që ngrihet mbi një maxhorancë të dobët parlamentare. A përbën kjo një rrethanë shqetësuese për stabilitetin politik në vend? Një maxhorancë e dobët nuk është në vetvete diçka e keqe - apo një kërcënim për stabilitetin. Ajo inkurajon edhe stimulon konsensus politik dhe kur kjo gjë arrihet, përbën një themel të fortë për reforma, veçanërisht në vendet në tranzicion, por edhe më gjerë. Aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria, edhe pse ka një mazhorancë të konsiderueshme, është bazuar në mbështetjen ndër-partiake për reformat më madhore, si për shembull arsimi. Reformat më madhore në Shqipëri, do kërkojnë domosdoshmërisht mbështetjen e deputetëve të opozitës dhe të qeverisë, për të siguruar një mazhorancë me 2/3 apo 3/5. Të gjitha partitë politike e kanë bërë shumë të qartë angazhimin e tyre për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu Integrimi në Bashkimin Evropian është një projekt kombëtar që kërkon progres kombëtar, ndër-partiak, si dhe mbështetje publike. Ekziston një qëllim i përbashkët, por si në të gjitha demokracitë e mira, unë pres që të kemi një debat të shëndetshëm dhe (shpresoj) konstruktiv për zbatimin e këtij projekti. Para pak javësh Bashkimi Evropian njoftoi listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave nga viti i ardhshëm, duke lënë jashtë saj Shqipërinë dhe Bosnjën. Sa është influencuar ky qëndrim nga ecuria e procesit elektoral dhe më në tërësi nga mënyra sesi po zhvillohet Shqipëria, në raport me standardet që kërkon bashkësia ndërkombëtare? Procesi i liberalizimit të vizave ka një grup të dallueshëm dhe të qartë kriteresh, që përfshijnë përmirësimin e dokumenteve dhe sistemeve të udhëtimit, kontrollin e kufijve dhe veprimet për t'iu kundërvënë krimit të organizuar, si dhe mbrojtjes ligjore të grupeve minoritare. Liberalizimi i vizave ka më shumë të bëjë me përmirësime të dukshme teknike në sistemet kufitare të Shqipërisë dhe me hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar se sa me politikën. Dhe progresi i këtij vendi dhe qeverisë do të matet mbi këto kritere/kërkesa. Mbretëria e Bashkuar nuk bën pjesë në hapësirën e përbashkët të BE-së Schengen - në kemi sistemin tonë të kontrollit kufitar, me kërkesa të veçanta për vizat - kështu që nuk jemi të përfshirë direkt në vendim-marrjen për liberalizimin e vizave Schengen për Ballkanin Perëndimor; dhe këto vendime nuk cënojnë drejtpërsëdrejti regjimet tona. Por në sigurisht e ndjekim me interes procesin. Për Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët Evropianë, progresi i Shqipërisë në përmbushjen e këtyre kërkesave, është një tregues i angazhimit të saj ndaj reformave dhe vlerave të BE-së më gjerë. Berisha ka hedhur së fundi idenë se mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijojë procesi i ‘bashkimit të kombit'. Si tingëllon kjo sipas jush në veshët e europianëve, të cilët kanë preferuar ta shohin afrimin e Kosovës me Shqipërinë në kuadrin e një integrimi më të gjerë europian? Shqipëria ka luajtur gjithmonë një rol të moderuar dhe të përgjegjshëm në rajon. Nuk shoh asnjë arsye pse kjo të ndryshojë. Ajo çka demonstrohet qartë nga debati i lindur nga komentet e Kryeministrit është nevoja për të njohur ndjeshmëritë e rrënjosura thellë që rrethojnë çështjet e kombësisë dhe etnisë në këtë rajon. Ato janë çështje që kanë ndarë komunitete dhe familje dhe kanë marrë shumë jetë të pafajshme. Çështje me të cilat unë njihem shumë nga afër, pasi kam punuar për katër vjet në Bosnjë dhe Hercegovinë. Si i cilësoni marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Mbretërisë së Bashkuar? Çfarë mungon në këto marrëdhënie, që ju do të donit ta përmbushnit gjatë mandatit tuaj? Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona janë të forta dhe do vazhdojnë të përmirësohen me kalimin e viteve. Ato janë marrëdhënie dinamike - me një gamë të gjerë interesash dhe kontaktesh të përbashkëta, duke përfshirë punën e përbashkët jetike për të luftuar krimin e organizuar që cënon të dy vendet tona, si dhe punën e Këshillit Britanik për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së trajnimin gjuhësor në universitete; dhe me gjithnjë e më shumë kontakte jo-qeveritare. Në 7 shtator në po themelojmë degën shqiptare të Bashkimit Anglishtfolës - një organizatë që promovon gjuhën angleze dhe kontaktet në rang global. Kështu marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar - Shqipëri janë të një game të gjerë dhe me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ato vazhdojnë të zhvillohen dhe maturohen. Por të gjitha këto mbështeten fuqimisht në vizionin e përbashkët për të ardhmen e Shqipërisë - e ardhme që e sheh këtë vend si një anëtar me të drejta të plota të BE-së. Gjatë qëndrimit tim, mezi pres të zhvilloj dhe thelloj edhe më tej marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, ku në kemi përparësi urgjente të përbashkëta. Mbretëria e Bashkuar kërkon të ketë një dialog të hapur dhe të sinqertë për problemet dhe sfidat që bazohen në partneritet real. Por unë do të punoj për të ndihmuar në zgjerimin e këtyre marrëdhënieve përtej kontakteve tradicionale qeveri me qeveri, duke stimuluar biznesin, si dhe kontaktet njerëzore. Themelet e marrëdhënieve tona janë të forta.

Marrë nga "Mapo"/

Versionin anglisht e gjeni këtu: British Ambassador to Albania, Fiona McIlwham: The EU has set clear criteria for membership

KOMENTE