Tiranë, 7 shtator, NOA - Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të nënshkruajë me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu marrëveshjen e koalicionit të ri qeverisës.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA nga selia blu, aktiviteti do të zhvillohet në selinë e Kryesisë së Kuvendit në orën 11.00 të paradites së sotme.
Ajo parashikon emërimin e kryetarit të Partisë Republikane në postin e ministrit të Mjedisit në qeverinë e re, si edhe emërime të tjera në nivele më të ulëta për strukturat qendrore, por edhe ato të pushtetit vendor.
Ndërkaq, opozita ka reaguar ndaj rifutjes së Mediut në qeveri, pas heqjes së imunitetit të tij të mëparshëm, lidhur me përfshirjen si ish-ministër i Mbrojtjes në tragjedinë e Gërdecit.
Për këtë arsye, ashtu si edhe për ministrin Lulëzim Basha, i cili ndodhet në të njëjtën situatë pas skandalit me abuzimet në Durrës-Kukës, parlamenti i ri pritet të ndërmarrë një proces të verifikimit të mandatit.
Por futja e Mediut në qeveri ka shkaktuar edhe pakënaqësi të tjera brenda kampit të vetë republikanëve, ku ministrja aktuale, Anila Godo e kësaj partie, pohon se nuk është thirrur fare që të japë mendimin e saj mbi përzgjedhjen e tij.
n.e/NOA