English

Greqia, vendi bujar për emigrantët

Nga Janis Papadhimitriu

Greqia dhe politika e saj e emigracionit dhe e integrimit janë një histori e pafundme. Greqia ka qenë për dekada vend prej ku largoheshin emigrantë, por në vitet '90-të, u kthye në një vend pritës të emigrantëve.

Një Chinatown të vërtetë me dyer për të hyrë, me tempuj me ngjyra dhe me dyqane të panumërta kineze si p.sh. në San Francisko në Greqi në fakt nuk ka. "Chinatoën" quhet në Athinë para së gjithash rruga periferike Agisalu, pse edhe "Plateia Theatrou", sheshi i teatrit në qendër të qytetit. Por aty nuk ka tempuj ose restorante, por një sërë qendrash tregtare, pra blloqe shtëpish me dyqane kineze.

Zyrtarisht në rajonin e Athinës jetojnë 2 mijë kinezë, por numri i tyre i vërtetë është ndoshta 10 herë më i lartë. Bëhet fjalë para së gjithash për turistë, të cilët pas skadimit të vizës kanë qëndruar në Greqi, legalisht ose ilegalisht. Shumë janë pronarë dyqanesh të rrobave të lira ose punojnë në gastronomi. Bizneset e tyre tashmë i gjen të shtrira në të gjithë qytetin, sepse ndërkohë ata janë në gjendje të paguajnë qiratë edhe në qendër të qytetit. Tregtarë nga Kina thuhet se janë të gatshëm që të paguajnë një kapar prej mbi 100 mijë eurosh për një dyqan të ri në qendër të qytetit.

Suksesi sjell zilinë

Meqë janë të suksesshëm ata i kanë zili shumë vetë. Tregtarët grekë reagojnë të revoltuar. Ata i akuzojnë kinezët për konkurrencë të pandershme, damping të pagave dhe për faktin që çmimet e qirave janë ngritur në mënyrë masive. Edhe Dimitris Armenakis, kryetar i shoqatës greke të tregtisë është ngritur tallaz kundër konkurrentëve të padashur: "Ata i shesin mallrat e tyre jo vetëm në dyqanin e tyre, por edhe në rrugë. Në të gjithë Greqinë ne shikojmë tezga dhe batanije e çarçafë të hapur në tokë, në të cilat ofrohen mallra kineze. Autoritetet nuk janë në gjendje ta frenojnë tregun e zi. Dhe tregtarët kinezë e shfrytëzojnë pafuqinë e shtetit. Për ne ata janë torturë e vërtetë. Ne nuk jemi kundër ndonjërit, por kërkojmë që të respektohen të gjitha ligjet". Institutet e sigurimit shëndetësor, autoritetet e financave dhe zyra e shëndetësisë duhet të kontrollojnë te tregtarët kinezë njësoj si te grekët, ankohet më tej Armenakis.

Transformimi i Greqisë

Greqia, dikur një vend prej ku grekët largoheshin si emigrantë është kthyer në një vend të preferuar të emigrantëve të rinj nga Azia dhe Afrika. Por Greqia duket financiarisht dhe politikisht e mbingarkuar nga rrymat e refugjatëve dhe ndihet e lënë në baltë nga BE. Veç kësaj, qytetarët e Greqisë me sa duket, vazhdojnë ta ndiejnë veten si qytetarë të një vendi, shtetasit e të cilëve largohen vetë si emigrantë, jo të një vendi pritës të emigrantëve. Dhe autoritetet greke nuk ndjekin as në premisë një politikë të arsyeshme integrimi: nisur nga regjistrimi i thjeshtë i emigrantëve, duke vazhduar me sigurimin e tyre ekonomik dhe juridik deri në masat konkrete të integrimit, përpjekjet politike janë në fillimet e tyre. Çështje të nënshtetësisë lihen pas dore. Edhe fëmijët që lindin në Greqi të prindërve aziatikë janë "ilegalë" dhe kërcënohen shpesh nga dëbimi. Që grekët dinë shumë pak për emigrantët, kjo nuk e thjeshton punën.

Kështu, Instituti i Athinës për Marrëdhëniet ekonomike Ndërkombëtare e bëri vetëm në vitin 2007 studimin e parë shkencor për emigrantët aziatikë në Greqi. Plamen Tonçev, ekspert për Azinë me origjinë bullgare, iniciator i studimit, mund të tregojë vetëm gjëra pozitive për kinezët: "Unë besoj se kinezët kanë cilësi shumë pozitive, të cilat duhen pranuar. Ata janë të zellshëm, realistë dhe u vjen doresh biznesi. Veç kësaj studimi ynë nxjerr në pah se ata janë veçanërisht mirë të kualifikuar, gjë që i ndihmon për t'i arritur më shpejt synimet e tyre ekonomike".

Qytetarët e (pa)barabartë

Si qytetarë të barabartë megjithatë ata nuk pranohen. Edhe Lan Xiao Cheng vazhdon të luftojë kundër klisheve dhe paragjykimeve. "Besoj që në Shangaj ose në Pekin mund të fitosh sot po kaq shumë para sa në Athinë. Ne kinezët mund të emigronim edhe në Singapur dhe HongKong, atje madje mund të fitosh më shumë. Atje nuk do të kishim as vështirësi gjuhësore. Madje edhe tregu japonez është hapur për ne. Pra unë me të vërtetë nuk e kuptoj, se pse shqetësohen kaq shumë në Greqi për kinezët", shprehet ai.Â

Deutsche Welle

KOMENTE