English

Mbyll punimet Kuvendi i ri i Shqipërisë, nesër pasdite seanca e dytë e tij

Tiranë, 7 shtator NOAUPDATE-Kuvendi i Shqipërisë nisi sot pasdite punimet e seancës së parë të legjislaturës së 18-të të tij.

Nga 140 deputetë, 79 janë ligjvënës që hyjnë për herë të parë në sallën e Kuvendit, nga të cilët 40 janë nga Partia Socialiste e opozitës dhe 36 nga Partia Demokratike.

Fjalën e hapjes së punimeve të legjislacionit të ri e ka mbajtur deputeti me moshën më të vjetër , Fatos Beja.

Pasi ka përshëndetur e u ka uruar punë të mbarë deputetëve në misionin e tyre, Beja ka lexuar emrat e të gjithë deputetëve të rinj të parlamentit.

Por në shumicën e kohës hasi me prezencë boshe pasi mungonin deputetët e opozitës.

Më pas Beja ka komunikuar emrat e tre deputetëve më të rinj të kuvendit të cilët janë zgjedhur të jenë në sekretarinë e tij.

Ata janë Gerti Bogdani, Pavlina Hoti dhe Ledina Aliolli.

Në bazë të rregullores së kuvendit, grupet parlamentare kanë sjellë propozimet e tyre për deputetët që do të jenë në komisionin e përkohshëm të verifikimit të mandateve.

Komisioni përbëhet nga 9 deputetë të mazhorancës e opozitës, kryetari i seancës së parë tëë kuvendit ka komunikuar vetëm emrat e deputetëve të mazhorancës.

Me këtë procedurë kuvendi i ri mbylli seancën e tij të parë për t'u mbledhur sërish nesër në orën 18.

Deputetët socialistë vendosën të bojkotojnë seancën e parë të Kuvendit si qëndrim kundërshtues ndaj asaj që ata e quajnë standarde të ulëta të zgjedhjeve të fundit, të papranueshme, sipas tyre, për një vend anëtar të NATO-s.

Socialistët kanë deklaruar se do të kenë marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin, ndërsa demokratët e quajnë të gabuar e jo konstruktiv qëndrimin e deputetëve socialistë.

m.i/NOA

KOMENTE