English

Polonia e meriton një mundësi të re

SHBA, gjatë ditëve të kaluara ka bërë të qartë se nuk e merr seriozisht aleancën e vet me Poloninë. Edhe Gjermania është e preokupuar me veten. Kjo nuk i bën aspak mirë Polonisë

Nga "Die Welt" 70 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Polonia mbetet sërish e vetmuar. Kjo na lëndon dhe na pikëllon. Duhet të mendojmë pse është kështu. Do të ishte lehtë që për këtë të fajësohen të tjerët. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë për këtë e bartim vetë.

Por, të shkojmë me radhë: SHBA-ja gjatë ditëve të kaluara ka bërë të qartë se nuk e merr seriozisht aleancën e vetë me Poloninë. Kjo po kristalizohet gjithnjë e më shumë, pas tranzicionit të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. George Bush dhe këshilltarët e tij nuk kishin kurrfarë iluzionesh për Rusinë. Atyre u konvenonte aleanca e ngushtë me Evropën Lindore dhe Poloninë.

Për këtë arsye u hartua plani për të stacionuar elemente të mburojës anti-raketore në Poloni, për këtë arsye u ndërmorën përpjekjet për ta modernizuar edhe më shumë ushtrinë polake dhe për këtë arsye u ndërmorën edhe hapat për përfshirjen e Polonisë në konfliktet globale, si në Irak dhe Afganistan.

Por, pas ndërrimit të pushtetit, Uashingtoni iu kthye politikës nga koha e Franlin Delano Rooseveltit. Motoja e kësaj politike: "Të flasim me Rusinë, ne duhet t'i besojmë Rusisë, Moska ka qëllime të mira, ariu duhet të zbutet".

Çmimi të cilin Obama po e paguan për mbështetjen e Rusisë në luftën kundër terrorizmit dhe reduktimin e arsenalit bërthamor, është Evropa Lindore, e me këtë edhe Polonia. Për këtë arsye, Obama nuk dërgoi askënd në ceremoninë e zhvilluar në Poloni. Kështu, ai dëshiron ta bëjë të besueshme politikën e tij ndaj Rusisë.

Edhe marrëdhëniet e Polonisë me shtetet tjera në Evropë janë të ngjashme. Britanikët nuk kanë më fuqi për të siguruar vendosjen e baraspeshës globale, apo së paku të asaj evropiane. Ata më nuk janë fuqi botërore, siç kanë qenë në luftën e kaluar. E vetmja gjë e arsyeshme që kanë bërë është hapja e tregut të punës për polakët. Fillimisht, ata vetë kanë përfituar nga ky vendim. Edhe sa i përket fushës së sigurisë, britanikët nuk mund të bëjnë shumë, pos t'i shtrëngojnë dhëmbët dhe t'i mbështesin amerikanët në Irak dhe Afganistan.

Franca po tundet herë në një anë, herë në tjetrën. Ashtu si Londra, as Parisi nuk është më fuqi botërore. Është një vend i dëmtuar nga konfliktet e brendshme, shtet i cili nuk po arrin të reformohet, shtet pa ide, i cili po detyrohet të përballet me valën e emigrantëve nga Afrika dhe shtetet arabe.

Por, trashëgimia e mentalitetit të fuqisë botërore e nxit Francën që të veprojë si opozitë e SHBA-së, duke u angazhuar për interesat e fuqive siç janë Rusia apo Gjermania.

Njëjtë si Gjermania, shteti më i fuqishëm dhe më i rregulluar në kontinentin tonë. Berlini është duke pasur frikë të jetë kryesues i Evropës, ngase do të mund të përballej me akuzat se po synon t'ua imponojë të tjerëve vullnetin e vet. Shumë shpejt Franca, Britania dhe Polonia do të bashkoheshin për të nivelizuar mbizotërimin e Gjermanisë.

Për këtë arsye, si duket, Berlini ngadalë po e zgjedhë rrugën e perandorisë së vetmuar evropiane, që ka pasojë negative si për polakët, ashtu edhe për Evropën në tërësi.

Megjithatë, një mundësi për Poloninë mbetet BE-ja. Krahas NATO-s, BE-ja mbetet organizata më e mirë të cilën e kanë themeluar europianët në shekullin e kaluar. Për Poloninë kjo organizatë ka rëndësi ekzistenciale, ngase e integron atë në Perëndim dhe e mbron nga ndikimet e Lindjes, së paku në teori. Njëra nga synimet kryesore të Polonisë është integrimi i plotë në BE, por në një BE të fuqishme.

Duket se në situatën aktuale, Polonia nuk ka shumë për të thënë. Polonia ka një ekonomi të dobët dhe nuk ka pothuajse fare firma të cilat veprojnë dhe zgjerohen edhe në botën e jashtme. Nuk ka infrastrukturë të nivelit perëndimor. Kjo nuk u pëlqen, por ky është realiteti.

Edhe përkundër kësaj, polakët nuk janë më të dobët se të tjerët - gjermanët, anglezët apo amerikanët.

Si më tutje? Përkundër faktit se Polonia tani është e izoluar, ajo ka mundësi të ketë një vend të rëndësishëm në Evropë dhe në botë. Nuk kërcënohet ndonjë luftë. Pra, ka kohë që Polonia të ndërtohet. Për këtë nevojiten programe të përbashkëta.

Shembuj ka shumë: Gjermania ishte e gatshme të shpenzojë me miliarda për ribashkim. Spanja u modernizua pa ndërprerje pas përmbysjes së diktatorit Franko dhe iu bashkua Evropës së fuqishme. Edhe Polonia duhet ta ndjek këtë shteg.Â

KOMENTE