Mitrovicë, 7 shtator NOA-Rreth 100 serbë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga përfaqësuesit e lagjes "Brgjani" në veri të Mitrovicës, me moton "Kundër rindërtimit dhe kundër EULEX-it".
Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka thënë se vetë motoja tregon për absurditetin me të cilën udhëhiqet Këshilli Nacional Serb (KNS) dhe strukturat paralele në veri.
Policia në Mitrovicë njofton se protesta është mbajtur në sheshin "Shumadija", me fillim rreth orës 14:15.
"Protesta është përcjellë me pjesëmarrje të mbi 100 protestuesve, të cilët janë tubuar në qendër të qytetit në rrugën ‘Mbreti Petër', në shenjë reagimi të adresuar për shkak të situatës së krijuar me rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptar në lagjen ‘Kroi i Vitakut'", ka bërë të ditur zëdhënësi Besim Hoti.
Protesta ka përfunduar rreth orës 14:50, me shpërndarjen e qetë të protestuesve.
Nuk janë shënuar incidente.
Pjesëtarë të policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë, kanë siguruar mbarëvajtjen e protestës ndërsa njësitë e specializuara të policisë së Kosovës dhe atyre të EULEX-it, kanë qenë në gjendje gatishmërie.
Veç rrugës kryesore ku është mbajtur protesta, nuk ka pasur ndalime të trafikut rrugor ndërsa ura kryesore mbi lumin Ibër, ka qenë e hapur për qarkullim të rregullt të trafikut.
Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë vlerësuan të hënën në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, se situata përkundër tensioneve që kanë qenë gjatë javëve të fundit është nën kontroll.
Përfaqësuesit e KFOR-it, të pranishëm në takim, thanë se KFOR-i është i përgatitur që të ballafaqohet me të gjitha situatat, në mënyrë që të krijohet një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë.