Tiranë, 7 shtator, NOA Update - Kryeministri Sali Berisha do të niset sot në orën 14.00 për një inspektim në zonat e prekura nga tërmeti që goditi vendin duke u gdhirë dita e sotme.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA pranë Këshillit të Ministrave, Berisha do të niset drejt rrethit të Dibrës, menjëherë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, rreth orës 14.00.
Sakaq, Berisha sapo ka nënshkruar në orën 11.00 sipas parashikimit, marrëveshjen e koalicionit qeverisës me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.
Ndërkohë, më herët në vendngjarje ka mbërritur zv/ministri i Punëve të Brendshme, Ferdinand Poni, si edhe ekspertë të tjerë.
Tërmeti në fjalë, ka qenë me fuqi afro 7 ballë dhe epiqendra e tij ka qenë në fshatin Gjoricë si dhe komunat Shupenzë dhe Ostren të Dibrës.
Të dhënat e deritanishme tregojnë për 6 shtëpi të cilat rezultojnë të shembura plotësisht, ndërsa rreth një mijë shtëpi janë dëmtuar duke pësuar shembje të pjesshme.
Por lëkundjet janë ndjerë edhe në Tiranë dhe Durrës, me intensitet më të ulët, deri në 5.4 ballë. Edhe në kryeqytet, shumë njerëz dolën në rrugë të trembur nga lëkundjet sizmike, disa minuta pas mesnate.
n.e/NOA