Ohër, 7 shtator, NOA - Shkaqet e tragjedisë ujore në Liqenin e Ohrit, që është katastrofa më e madhe në komunikacionin ujor në Maqedoni, do të zbardhen pas ekspertizës që do të bëhet nga ekipi i ekspertëve të MPB, Ministrisë së transportit-sektorit për lundrime ujore, të mbështetur e ndihmuar nga ekipi i specializuar i ekspertëve të havarive ujore nga Kroacia, që pritet të arrijnë në Maqedoni.
Ardhja e ekspertëve të specializuar për ngjarje të këtilla nga Kroacia, do të jetë ndihmesë e madhe për të gjithë të përfshirit në këtë tragjedi-shprehen njohësit e kësaj problematike, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.
Ish-kapiteni i Kapitenerisë në Ohër, Zllatko Kleçkarovski, (ish-oficer marine, një nga komandantët e luftanijeve të ish-forcave detare të APJ-së), vlerëson se ekzistojnë një sërë rrethanash që kanë sjellë fundosjen aq të shpejtë të anijes.
"Një nga mundësitë për këtë tragjedi mund të jetë këputja e kabllos që lidhë timonin me llozin (shulin) e anijes, që shkakton pamundësi për të drejtuar anijen, çorientim të drejtimin, anim në njërën nga anët e anijes dhe vetvetiu krijon edhe panik. Me të lakuar në njërën anë, udhëtarët që gjenden në anije, nga inercioni i madh dhe në panik "rëndojnë" anën e rrezikuar, qoftë edhe të gjithë udhëtarët të dijnë not, vjen deri tek depërtimi i ujit në bord dhe mbytja e menjëhershme", pohon Zllatko Kleçkaroski.
Këtë mundësi e kanë pohuar edhe ekspertët e ekipit të specialistëve nga Kroacia, që do të jenë pjesë e ekipit për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë së anijes "Ilinden". Sa i përket vetë anijes, moshës, sigurisë së udhëtarëve, moshës së re të kapitenit 23-vjeçar Sotir Fileski etj, Zlatko Kleçkaroski u shpreh: "Anija ka qënë vërtetë e moshës së shkuar, por sa i përket dokumentacionit ka qënë krejtësisht në rregull. Nga ana tjetër, kapiteni, edhe pse me moshë të re, ka qenë i përkushtuar pas jetës në anije. Ai kishte një eksperiencë mbi dhjetë vjeçare të lundrimit".
Zllatko Kleçkarovski përjashton çdo mundësi të gabimit të faktorit njeri në rastin konkret që ka të bëjë me manovrimin dhe drejtimin e anijes, pos mbingarkesës që eventualisht ka mundur të ndikojë në luhatjen dhe animin ekstrem, që ka sjellë deri te depërtimi i vrrullshëm i ujit në boridn e anijes dhe mbytjen e menjëhershme të udhëtarëve që kanë qënë në bord.
Kapitenit të anijes "Ilinden", 23 vjeçarit Sotir Fileski, (që bashkë me ndihmësin e tij Vllatko Justinijanoski), pasi janë marrë në pyetje nga gjykatësi hetues në Gjykatën Themelore në Ohër, i është shqiptuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndërsa ndihmësi i tij është liruar nga paraburgimi.
n.e/NOA