Prishtinë, 7 shtator NOA-Presidenti Fatmir Sejdiu vlerëson se zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në nëntor në Kosovë janë shumë të rëndësishme për imazhin e shtetit më të ri në botë.
Ai ka ftuar të gjitha partitë politike duhet të angazhohen maksimalisht për një proces korrekt dhe të ndershëm.
Presidenti i vendit i bëri këto komente gjatë një takimi që ka zhvilluar me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
"Zgjedhjet e sivjetshme lokale janë zgjedhjet e para që organizohen nga institucionet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, ndaj është tepër e rëndësishme që ato të përgatiten si duhet dhe të përmbyllen sipas standardeve më të larta demokratike", u shpreh Sejdiu.
Presidenti Sejdiu, gjithashtu, tha se është shumë e nevojshme që institucionet e Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha subjektet politike të vendit, me qëllim që si shtet t'i përballojmë sfidat që kemi përpara.
Kryetari  i AAK-së, Haradinaj tha se partia që ai drejton do të punojë edhe më tej për realizimin e aspiratave dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.