English

Berisha takon kryetarin e Bashkimit Anglishtfolës: Gjuha angleze edhe për parashkollorët

Tiranë, 8 shtator NOA- Kryeministri, Sali Berisha priti sot në takim Lordin Alan Watson, kryetar i Bashkimit Anglishtfolës.

Lordi Watson ndodhet për vizitë në vendin tonë me rastin e lançimit zyrtar të përfaqësimit të Bashkimit Anglishtfolës në Shqipëri, gjatë ceremonisë së të cilit, Kryeministrit Berisha i është dhënë edhe certifikata e Presidentit të Nderit të Bashkimit Anglishtfolës për Shqipërinë.

Berisha e falënderoi atë për përzgjedhjen që Bashkimi Anglishtfolës i ka bërë Shqipërisë duke e cilësuar këtë një eveniment jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Duke vlerësuar rëndësinë dhe peshën, që gjuha angleze ruan në arenën ndërkombëtare, në të gjitha fushat, qoftë në atë të marrëdhënieve ndërkombëtare, jurisprudencës, shkëmbimeve kulturore, tregtare, deri te shoqëria e informacionit dhe bota e internetit, Kryeministri Berisha i bëri me dije Lordit Watson për angazhimin e qeverisë shqiptare për promovimin e mëtejshëm të gjuhës angleze në vend, si brenda institucioneve arsimore, ashtu edhe me gjerë.

Në këtë kontekst, kreu i qeverisë theksoi se në mandatin që sapo ka filluar, qeveria shqiptare do t'i kushtojë një rëndësi të veçantë promovimit të mësimit të gjuhës angleze edhe për moshat parashkollore, krahas konsolidimit të vazhdueshëm të infrastrukturës teknike e njerëzore për nivele evropiane të mësimdhënies së gjuhës angleze në të gjitha shkollat në vend.

Lordi Watson e falënderoi kryeministrin Berisha për angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare, për promovimin e mëtejshëm të gjuhës dhe kulturës angleze në vend dhe i shprehu Berishës angazhimin e tij dhe të Bashkimit Anglishtfolës për t'i ofruar mbështetje qeverisë shqiptare, në veçanti në projektet që kanë të bëjnë me promovimin e gjuhës dhe kulturës angleze, në fushën e arsimit dhe më gjerë.

Në takim gjithashtu u diskutua mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

k.k/NOA

KOMENTE