Tiranë, 8 Shtator NOA - "Porfida, një ballo në Versajë" romani i shkrimtares Mira Meksi botohet në Francë nga një prej shtëpive botuese më eminente atje "Editions Baudelaire".
I botuar në versionin shqip nga "Ideart", romani i shkrimtares shqiptare ka zgjuar interes nga shtëpia botuese franceze e cila ka matur edhe suksesin që ky roman ka pasur në shtëpi.
Një këndvështrim i ndryshëm i kohës së diktaturës ku ka dritë jeshile në fund të tunelit nuk ka qenë pa peshë në motivimet e botimit të këtij romani.
Romani është përkthyer në frëngjisht nga Alketa Spahiu por që i parë tërësisht nga autorja, ka vlerën autentike të origjinalit shqip.
Botuesi i "Ideart" Arian Leka na rrëfen se si u arrit deri në këtë projekt kaq ambicioz në botimin e plotë të "Porfidës" nga një prej shtëpive botuese më prestigjioze në Francë ku minimalisht botohen rreth 5 mijë tituj në muaj.
"Është nga edicionet e suksesshme franceze, të shtëpisë botuese Baudelaire me qendrën në Lion, e cila ka botuar librin 'Porfida' të autores sonë Mira Meksi, i cili nuk është një surprizë për ne, pasi dhe në Shqipëri ka njohur suksesin maksimal.
Ka njohur botime, ka njohur ribotime, ka njohur tekste, ka hapur polemika, ka ngjallur polemika mbi atë se si autorja e sheh botën shqiptare, mbi atë që bota shqiptare i ofron botës së huaj, lexuesit të huaj", rrëfen Arian Leka, botues i Ideart.
Romani i cili ka njohur botime dhe ribotime por edhe polemika në shtypin shqiptar sjell një Shqipëri totalitare, të mbyllur në vetvete, e cila ngjan si një çmendinë; ndërkohë që çmendina e vërtetë që mban brenda elementët më të rrezikshëm për stabilitetin politik të vendit, kthehet në një paradhomë të çuditshme që përgatit rininë e botës së lirë, në hullinë e një parfumi. Mira Meksi përshkruan në sfond historik absurditetin e diktaturës dhe qëndresën ndaj çdo lloj tjetërsimi, në sajë të kulturës dhe përvetësimit të shkrimeve kabalistike. Më 1995, Mira Meksi ka fituar çmimin e Radio France International mbi tregimin e pabotuar në kuadrin e frankofonisë me tregimin "Gërshërët", si edhe çmimin e festivalit të Saint Quentin (Sen Kentinit).
Në vitin 1998 merr pjesë në aktivitetin e organizuar në Francë, "Bukuroshet e Huaja", kushtuar letërsisë shqiptare të kohës, si shkrimtare përfaqësuese.
Më 1996 botohet në Francë antologjia e tregimit të shkurtër "Filli i Arianës", ku përfshihet edhe krijimtaria e Mira Meksit. Ndërkaq përkthyesja Alketa Spahiu mban titullin doktor i universitetit Paris- Sorbonë në letërsi të krahasuar dhe si studiuese dhe kritike e krijimtarisë së Ismail Kadaresë merr pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare. Libri i saj studimor, "Kadaré: Stil dhe strukturë ose Epika në stil", del së shpejti në Paris.
e.n/NOA
Â
Â