Prishtinë, 8 shtator, NOA - Zyrtarët ndërkombëtarë në Prishtinë nuk e përjashtojnë mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshje me autoritetet kosovare lidhur me protokollin për bashkëpunimit policor EULEX-Serbi, ndonëse këto të fundit vazhdojnë ta kundërshtojnë atë.
Zëdhënësi i përfaqësuesit të BE në Kosovë, e ka mohuar faktin që të ketë mosmarrëveshje ndërmjet zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë për protokollin.
"Nuk mendoj se ka ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare apo Bashkimit Evropian për të pasur aranzhime që do t'i mundësonin EULEX-it ta bënte punën e vet dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se të gjithë pajtohen se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit janë çështje shumë prioritare. Ne thjesht duhet të gjejmë zgjidhje të përshtatshme për të gjithë", është shprehur ai për mediat.
Ndërkaq, mbi Prishtinën zyrtare po ushtrohet trysni ndërkombëtare që të ndryshojë qëndrimin lidhur me protokollin e debatueshëm për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë.
Por ata duket se janë të vendosur ta kundërshtojnë një akt të tillë, madje ideja e nënshkrimit të një protokolli është shoqëruar edhe me protesta, siç ishte ajo e aktivistëve të Vetëvendosjes, që dogjën shumë automjete të Eulex.
Edhe opozita kosovare nga ana e saj e ka kritikuar qeverinë për mostransparencë dhe reagim të vonuar lidhur me bisedimet që janë zhvilluar ndërmjet misionit evropian Eulex dhe autoriteteve serbe.
n.e/NOA
Â
Â