English

Forumi i Avokatëve Për Drejtësi: Ekspertizë juridike të gjitha kutive të votimit

Tiranë, 9 Shtator NOA - Forumi i Avokatëve Për Drejtësi (FAD), i ka drejtuar KQZ, Ambasadorit të OSBE, ambasadorit të SHBA dhe Ambasadorit të BE një projekt për angazhim në ekspertizën juridike të të gjitha kutive të votimit që u përdorën në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryesia Qendrore e Forumit të Avokatëve për Drejtësi (FAD), sqaroi sot për agjencinë e lajmeve NOA, se "ky veprim nuk ka si qëllim nxjerrjen e të dhënave prej materialeve të kutive të votimit për t'i përdorur ato si "prova" për kontestimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 Për në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryetari i Kryesisë së FAD, Av. Idajet Beqiri, evidenton faktin se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë certifikuar tashmë nga organet kompetente ligjore, siç janë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor Pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Kurse sqaron: "Qëllimi i këtij veprimi është evidentimi i rasteve që përbëjnë vepra penale, ose shkelje të tjera ligjore, të kryera këto nga individë të caktuar, të cilët mund të jenë anëtarë të komisioneve të zgjedhjeve, anëtarë të komisionit të numërimit të votave etj.".

Sipas FAD, nxjerrja prej kutive të votimit të parregullsive dhe falsifikimeve të së vërtetës, duke vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës, do të ndikonte pozitivisht në parandalimin e kësaj dukurie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato për pushtetin vendor. e.r/NOA

Më poshtë, gjeni kërkesën e plotë:

Lënda:Â Kerkojme te angazhohemi ne një projekt lidhur me trajtimin juridik te përmbajtjes se kutive te votimit per zgjedhjet parlamentare ne Shqipëri me 28.06.2009.

KOMISIONIT QENDROR TE ZGJEDHJEVE

AMBASADORIT TE OSBE

AMBASADORIT TE SHBA

AMBASADORIT TE BE

T I R A N E

Forumi i Avokatëve Për Drejtësi (FAD), i regjistruar si organizatë jo fitimprurëse me Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Tiranë Nr.2236, datë 16.04.2008, me një veprimtari produktive afro dy vjeçare, ju paraqet sa vijon:

Së paku qysh nga viti 1992, e në vazhdim, zgjedhjet vendore dhe parlamentare në Shqipëri janë kontestuar nga palët dhe kanë përbërë shkak për mbajtjen e tensionuar të situatës në vend. Janë thurur lloj-lloj alibish për manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve, e deri për vjedhjen e tyre të hapur. Janë akuzuar persona konkretë, liderë partish, komisionerë dhe numërues votash në qendrat e numërimit për vjedhje dhe deformime të rezultateve të zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas shqyrtimit të ankimeve të subjekteve zgjedhore dhe dhënies së verdiktit përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka nxjerrë tashmë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, vendim i cili ka fuqi detyruse për të gjitha palët.

Duke qenë para faktit se procesi zgjedhor tashmë është mbyllur dhe vendimet e KQZ kane fuqinë detyruese të ligjit, duke mos e cenuar aspak këtë integritet të këtij organi kompetent për administrimin e procesit zgjedhor, vlerësojmë se ka ardhur koha që të bëhen verifikimet e plota të të gjitha alibive, apo të të vërtetave që janë paraqitura nga të gjitha palët në procesin zgjedhor, si dhe nga vëzhguesit e vendit dhe ata ndërkombëtar lidhur me ekzistencën, ose jo të elementëve të ndonjë vepre penale të personave komisionerë, ose numërues të votave gjate procesit zgjedhor të 28.06.2009.

Kutitë e votimit tashmë qëndrojnë në arkivin e KQZ. Do të ishte në interesin e vendit, të të gjithë shqiptarëve, të forcave politike në Shqipëri si dhe të gjithë faktorëve ndërkombëtar, që kanë investuar dhe po investojnë kaq shumë për integrimin e Shqipërisë në BE, NATO etj, që këto kuti votimi të hapen nga njerëz të përgjegjshëm profesionist, të hetohen me përgjegjësi ligjore, dhe në se konstatohen parregullsi, ose veprime të kundërligjshme, ndaj personave konkret që i kanë kryer këto shkelje ligjore, të bëhen kallzime penale dhe të ngrihen akuza konkrete, te cilat të hetohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë në Shqipëri.

Forumi i Avokatëve Për Drejtësi (FAD), duke qenë se brenda tij ka një numër të konsiderueshëm avokatësh të aftë profesionalisht, madje shumë prej tyre kanë patur karrierë të suksesshme në organin e akuzës dhe në gjyqësorin e vendit, dhe janë në gjendje të hetojnë të gjitha kutitë e votimit, të cilat tashmë ndodhen të arkivuara, të evidentojnë prej tyre të gjitha shkeljet e ligjit, parregullsitë, falsifikimet që mund të jenë bërë dhe të përcaktojnë rast pas rasti në se kemi përgjegjësi administrative, apo penale për personat që mund të kenë bërë shkelje të ndryshme, merr përsipër kryerjen e këtij procesi.

Pas hapjes dhe studimit të të gjitha kutive të votimit, të proces verbaleve të komisioneve, të filmimeve në monitor etj, FAD merr përsipër të përgatisë kallëzimet penale, apo informacionet e plota, me të gjitha shkeljet ligjore, ose falsifikimet e bëra, duke u bashkangjitur atyre provat përkatëse, të cilat t'ua dorëzojmë institucioneve më të rëndësishme të vendit dhe atyre ndërkombëtare.

Forumi i Avokatëve të Shqipërisë kërkon vetëm një ndihmë minimale për të realizuar përmbushjen me sukses të këtij procesi, kërkesë e cila ka të bëjë me krijimin e kushteve pranë KQZ, duke na vënë në dispozicion të avokatëve që do të merren me këtë punë një sallë të mjaftueshme pune, të mbikëqyrur nga administrata e KQZ, ku të bëhet hapja dhe kontrollimi me përgjegjësi i kutive të votimit të procesit elektoral të 28 Qershorit 2009.

Realizimi i një procesi të tillë do të kishte efekte shumë pozitive dhe do të ndikonte ndjeshëm në rritjen e shkallës së përgjegjësisë së të gjithë aktorëve dhe subjekteve që merren me procesin zgjedhor në Shqipëri, si dhe do të rriste në shkallën e duhur standardet që kërkojnë organizmat ndërkombëtare për një proces zgjedhor të drejtë, të ndershëm, ligjor dhe pa manipulimin më të vogël.

Jemi të gatshëm që këtë detyrë, e cila ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e treguesit më të rëndësishëm të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të integrimit normal të vendit në BE, sikurse është procesi zgjedhor dhe vota e lirë, ta kryejmë me përgjegjshmëri, ndershmëri dhe profesionalizëm të lartë.

PËR KRYESINË QËNDRORE TË FORUMIT TË AVOKATËVE TË SHQIPËRISË

K R Y E T A R I

AV. IDAJET BEQIRI

KOMENTE