English

Kam reflektuar për drejtimin e Kuvendit

"Guximi në politikë nuk është vetëm të kesh nerv për të marrë vendime të vështira, apo për të bërë gjërat e duhura, edhe kur nganjëherë vetëm Zoti e di se është gjëja e duhur.

Është kryesisht të mbash petkun e përgjegjësisë e të ecësh para. Jam e sigurt, se bashkë do t'ia arrijmë"

Jozefina Topalli

Kryetare e Kuvendit

Bashkë do të bëjmë çdo gjë, për ta shndërruar këtë institucion në lokomotivën e legjislacionit europian të Shqipërisë.

Bashkë do të bëjmë edhe më të fuqishme diplomacinë parlamentare.

Bashkë do të bëjmë avokatinë e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve.

Bashkë do të punojmë për të rritur kontrollin e qeverisjes në çdo shtyllë të këtij shteti.

Dy muaj më parë, shqiptarët kanë folur dhe kanë folur qartë. Më 28 qershor shqiptarët kanë votuar dhe kanë vendosur të lirë.

Ato kanë vendosur që sot ne të jemi këtu, në këtë tempull të demokracisë për të udhëhequr jetën e vendit në katër vitet e ardhshme.

Dëshiroj të uroj të gjithë anëtarët e këtij Parlamenti për zgjedhjen tuaj e t'ju uroj punë të mbarë si deputetë. Ju jeni përfaqësim i dëshirës dhe vullnetit të popullit tuaj.

Është thënë se institucioni është hija e gjatë e njeriut. Ky institucion, është hija e gjatë e të gjithë burrave, grave që kanë votuar për t'u përfaqësuar këtu.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë deputetët të cilët patën besimin për të më zgjedhur mua si Kryetare të tyre në këtë Kuvend. Unë falënderoj partinë time. Unë e pranoj me shumë përulësi zgjedhjen si Kryetare e Kuvendit, për herë të dytë. E vlerësoj si një privilegj të jashtëzakonshëm për t'i shërbyer vendit tim.

Shpreh keqardhjen që opozita nuk është sot në vendet e saj, për të nderuar votën e qytetarëve socialistë.

Por unë shpresoj shpejt, për një periudhë debatesh të vlefshme, e një opozite racionale me synimin në interesat e përbashkëta të shoqërisë e Shqipërisë. Pavarësisht nga diferencat që kemi me opozitën, ne jemi qytetarë shqiptar. Dhe sot dua t'i përsërisim, që jemi të hapur për bashkëpunim. Ne do të bashkëpunojmë. Këtë na e thotë misioni, këtë na e kërkon Shqipëria.

Të jesh një ndër 140 deputetët përfaqësues të shqiptarëve është një nder i madh. Në fakt është një privilegj i veçantë. Por mbi të gjitha është një peshë e madhe përgjegjësie.

Po të më pyesni se çdo të thotë kjo, nuk do të mund të përgjigjesha me një fjalë. Kjo do të thotë integritet në përgjegjësi, do të thotë të duash.

Të duash vendin tënd.

Të duash kombin tënd, t'i duash me shumë se veten.

Nëse dikush thotë se po e teproj, nuk bie dakord me të, sepse e kam parë, ashtu siç ndonjëherë kam parë e shoh edhe ndryshe.

Kam qenë me fat, që në këto vite njoha politikanë, të cilët vendosën vendin e tyre dhe idealet e tyre para vetes. Këta janë kampionë.

Gjëja më e mirë që mund të thuhet për dikë është :

"Ai i shërbeu një kauze më të madhe se vetja e tij."

Po të tentojmë vetëm këtë model, e nëse ma pranoni si sugjerim do të ndiheshit mirë, ju garantoj.

Në këto vite në Parlament kam parë, po ashtu, se pak integritet është më mirë se çdo lloj karriere.

Integriteti nuk është një fjalë kushtetuese. Ai as s'ka nevojë për rregulla. Është thjeshtë të bësh gjënë e drejtë dhe kur askush s'të sheh.

Unë kam qenë me fat, që kam drejtuar Parlamentin në legjislaturën e kaluar. Bashkë me deputetët që janë në këtë sallë dhe ata që nuk janë më, kemi realizuar një axhendë të pabesueshme. Ishin katër vite plot sfida të vështira, herë herë me tensione të forta politike (si çdo parlament tjetër). Por ishte një legjislaturë e suksesshme në reforma, në bashkëpunimin për ligjet themeltare, e lume në çështjet e interesit të kombit, në proçese integruese.

Ishte legjislaturë e veçantë, e unë isha e privilegjuar që drejtova Parlamentin në 4-vjeçarin e zhvillimeve të mëdha të kombit, në kohën e Pavarësisë së Kosovës, në vitet e ratifikimit të MSA-së, në hyrjen e Shqipërisë në NATO. Bashkë me deputetët e tjerë të të gjitha krahëve kemi bërë mijëra milje për t'i dalë zot Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për këtë dua të falenderoj të gjithë ato deputetë të majtë e të djathtë që kontribuuan e që janë apo jo sot në këtë sallë.

Sot nuk nis vetëm një legjislaturë e re.

Fillon një fazë e re.

Shqipëria është ndër vendet me demokraci të re, shumë gjëra mund të duken të veçanta. Edhe koalicioni i ri, që është vendosur e do të votohet është një fazë e re e rritjes së demokracisë, e vendosur nga shqiptarët.

Fillon një fazë e re.

I bazuar në një koalicion, që lindi për t'i shërbyer stabilitetit të kombit, të vendit.

Një koalicion që përfaqëson një spektër më të gjerë të politikës dhe shoqërisë, që jep mbështetje legjislative më të fortë politikave e programit të ri. Vetë ndërtimi i këtij koalicioni është indikatori i një kulture politike kompromisi, i një vullneti të fortë, për të negociuar dhe për të respektuar diferencën, për të arritur marrëveshjen - që është çelësi i demokracisë.

Si deputetë të kësaj legjislature të re, ne ndihemi shumë të nderuar sepse:

Vijmë nga zgjedhjet me pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve.

Vijmë nga zgjedhjet më të mira që janë realizuar.

Për herë të parë, në këto dy dekada çdonjëri nga 140 deputetët ka marrë mandatin me vendim unanim të anëtarëve të majtë e të djathtë të KQZ-së.

Për herë të parë, nuk ka më hije në asnjë mandat.

Kjo e bën parlamentin më të fortë, e bën institucionin primar, më të vërtetin.

Ky parlament në 4 vitet e ardhshme do të ketë një axhendë shumë ambicioze. Do të bëjë çdo gjë për të mbështetur projektet e mëdha të kombit.

Ky Kuvend do të angazhohet për stadin më të lartë të përshtatjes së legjislacionit të vendit me atë europian.

Bashkë do të bëjmë çdo gjë, për ta shndërruar këtë institucion në lokomotivën e legjislacionit europian të Shqipërisë.

Bashkë do të bëjmë edhe më të fuqishme diplomacinë parlamentare.

Bashkë do të bëjmë avokatinë e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve.

Bashkë do të punojmë për të rritur kontrollin e qeverisjes ne cdo shtyllë të këtij shteti.

Ne proceset integruese Parlamenti do të luajë rolin e vet primar, siç i takon.

Në katër vitet e ardhshme do të përballemi me shumë sfida të tjera. Sfida të mëdha, të vështira. Do kemi debate pa fund. Dhe kjo na bën mirë. Mund të kemi edhe tensione, dhe kjo nuk është diçka e re, ndonjë grup mund të vendos edhe në nxitim, edhe në drejtim të kundërt të interesave, por ky vend do të ecë përpara.

Opozita ka detyrimet e saj kushtetuese. Detyra ime është të respektoj opozitën. E respektoj opozitën edhe kur nuk bie dakord me të, sepse këtë thotë shpirti i demokracisë. E respektoj opozitën jo vetëm sepse këtë më thotë detyra, por edhe sepse pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në opozitë (dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht si deputete).

Jam e sigurt se marrëveshje të rëndësishme për vendin do të kenë bashkëpunimin e opozitës.

Shqiptarët kanë vendosur më 28 qershor. Ata konfirmuan vendosmërinë e tyre për të finalizuar liberalizimin e vizave, projektin e Shqipërisë Europiane. Atyre që mund t'i duket e vështirë, do u kujtoja se po kështu na dukej integrimi në NATO. Por Shqipëria në NATO sot është një realitet. Po të pyesja sa prej jush e besonte këtë 2 vjet më parë, do ishin pak ata që e besuan.

Në katër vitet e ardhshme ky tempull do të jetë vendi i reformave.

Reforma është filozofia jonë. Reformat do të jenë thelbi i punës suaj. Reformat do të jenë përkushtimi ynë. Reformat janë fillimi dhe mbarimi i asaj që do të bëjë ky Parlament.

Jemi këtu se u bënë reformat.

Do të punojmë për reformat për të shkuar aty, ku vota e 28 qershorit na kërkoi.

Në 4 vitet e ardhshme, bashkë me ju, do të bëj çdo gjë që varet nga unë për t'i rritur dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë.

Nuk kam ëndërr më të bukur si Kryetare se sa ta shoh këtë sallë arenë të debatit të vërtetë, tempull të të vërtetave, në funksion të shqiptarëve, në funksion të kombit, në funksion të një ekonomie gjithnjë në rritje, të një kombi në rritje, në mbrojtje të shtetit të së drejtës, në synimin e integrimit.

Kam reflektuar shpesh për drejtimin dhe vendimmarrjen dhe kam mësuar:

Guximi në politikë nuk është vetëm të kesh nerv për të marrë vendime të vështira, apo për të bërë gjërat e duhura, edhe kur nganjëherë vetëm Zoti e di se është gjëja e duhur.

Është kryesisht të mbash petkun e përgjegjësisë e të ecësh para. Jam e sigurt, se bashkë do t'ia arrijmë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

(*) Fjala e mbajtur pas zgjedhjes në një mandat të dytë, sot më 8 shtator 2009

KOMENTE