Prishtinë, 8 Shtator NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, i ka nisur një letër të hapur Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, lidhur me gjetjen e personave të zhdukur në vite.
Më poshtë vijon letra e plotë:
I nderuari Kryeministër,
Nënat e Gjakovës, të përkrahura edhe nga nënat e viseve të tjera të Kosovës, po bëjnë grevë urie për identifikimin e mbetjeve mortore, që për 10 vite me radhë po mbahen në kontenjerët në oborrin e Institutit për Mjekësi Ligjore.
Grevistet po bëjnë grevë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe gjendja e tyre shëndetësore është e rrezikuar seriozisht!
Grevistet janë të injoruara krejtësisht nga Misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit (EULEX).
Shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon, po bën diskriminime në baza etnike: i ka pranuar gazetarët serbë që me të drejtë interesoheshin për fatin e gazetarëve serbë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq që nuk i viziton grevistet!
I nderuari Kryeministër,
KMDLNj i kupton mundësitë e kufizuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përshpejtimin e identifikimit të mbetjeve mortore, ngase, sikundër dihet, procesi i identifikimit të mbetjeve mortore është kompetencë e ndërkombëtarëve, mirëpo nga ju kërkon që të bëni atë që është në mundësitë e Juaja si Kryeministër, por edhe si njeri:
T'i vizitoni grevistet dhe t'u tregoni sinqerisht se çfarë mund të bëni;
Të ndikoni në përmirësimin e kushteve të grevisteve derisa ato të jenë në grevë;
Ta forconi Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe drejtorin e saj dr. Arsim Gërxhaliu;
Të ndani mjete financiare për përshpejtimin e identifikimit të mbetjeve mortore;
Të përzgjidhni një vend tjetër për kryerjen e procesit të identifikimit të mbetjeve mortore;
I nderuari Kryeministër,
KMDLNJ në tërësi i përkrah kërkesat e grevisteve, ndonëse është e bindur se teknikisht është e pamundur të përmbushen kërkesat e tyre në afatin e kërkuar.
Gjithashtu, KMDLNj e kupton pozitën tuaj dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo, KMDLNj kërkon nga ju që të bëni krejt çka është e mundur të bëhet që të realizohen kërkesat e grevisteve dhe të ndërpritet greva e tyre.
Me respekt,
Behxhet Shala
Drejtor Ekzekutiv i KMDLNj-së