Në Galerinë e Arteve të Kosovës u bë promovimi i librit "150 vjet fotografi shqiptare", i autorit nga Shqipëria, Qerim Vrioni.
Prishtinë, 9 Shtator NOA - Ndryshe prej shumë arteve të tjera, ku shqiptarët janë paraqitur më vonesë në krahasim me popujt tjerë, fotografia në Shqipëri është paraqitur krahas vendeve tjera të botës dhe më përpara se në vende të ndryshme të Ballkanit.
Për këtë duhet falënderuar Pjetër Marubi, i cili njihet si fotografi i parë në trojet shqiptare, pastaj edhe Kel Marubi, që lanë një trashëgimi të pasur sa i përket kësaj fushe. Historinë e Marubëve, por edhe të fotografëve të tjerë që vijnë pas tyre, e ka studiuar dhe e ka prezantuar në librin e tij Qerim Vrioni.
Libri i tij me titull "150 vjet fotografi shqiptare" u promovua në Galerinë e Arteve të Kosovës, ku i pranishëm ishte edhe autori. Duke folur për autorin e librin, Mustafa Ferizi, kritik i artit, tha se Qerim Vrioni është me vokacion fotograf dhe studiues i pasionuar i fotografisë, i cili shkroi shumë studime e analiza për fotografinë shqiptare dhe atë të huaj. Ndërkaq, për librin ‘150 vjet fotografi shqiptare', Ferizi tha se është vazhdimësi e punës së tij hulumtuese e studimore. "Në këtë tekst, Qerim Vrioni projekton artin e fotografisë së zhvilluar me oscilime të dukshme, por përherë të mbështetur mbi argumentet dokumentariste. Ky libër mundëson të njihet estetika e fotografisë, duke ofruar tema e kapituj teorikë mbi statusin artistik të këtij arti. Temat apo njësitë e trajtuara tematike, autori i projekton në dritën e pikëpamjeve estetike, filozofike e psikanalitike të fotografisë bashkëkohore", tha Ferizi, duke shtuar se autori synon të përgjigjet në pyetjet që ia imponon arti i fotografisë. Ai tha se nga materia e këtij libri mësojmë se fotografia është unitet i simboleve dhe kodeve eksplikuese. Përmes një qasjeje analitike, sipas Ferizit, autori ofron pasqyrë të qartë mbi historinë, lindjen dhe zhvillimin e fotografisë, nëpër kohë e hapësirë, duke filluar nga ideja e filozofit antik Aristotelit e deri te ‘camera obscura' (dhoma e errët) e Leonardos, me të cilën krijohen konturet e para të një arti i cili në shekullin XIX, konkretisht në vitin 1839, do ta marrë formën dhe emrin që ka sot. Po në këtë historikth, sipas Ferizit, autori na njofton me pishtarët evropianë të fotografisë dhe me kontributin e tyre për zhvillimin dhe afirmimin e saj. "Kapitulli kryesor i këtij libri është ai që flet për depërtimin e fotografisë në Shqipëri dhe për fotografët që e kultivuan dhe e zhvilluan atë në botën shqiptare, duke filluar nga Pietro e Kel Marubi, Jani Zengo, Kol Idromeno, Kristo Shuli, Vani Burda, Kristaq Sotiri, e deri të vëllezërit Milto e Janaq Manaqi, pastaj Shani Pici, Ded Jakova, Ymer Bali, Jani Ristani etj", u shpreh Ferizi. Ai më pas tregoi për ndarjen që autori e bën në këtë libër, të cilin e ka sistemuar në tri etapa kohore.
"Etapa e parë nis me fotografinë e Hamëz Kazazit, që konsiderohet figura e parë në fotografinë shqiptare dhe që shquhet për vlerën historike dhe dokumentariste që ka kjo foto. Etapa e dytë përfshin periudhën kohore (1944-1990) pra kohën e realizmit socialist, nën diktatin ideologjik të të cilit në Shqipëri u vunë të gjitha artet, pra edhe arti i fotografisë. Kurse etapa e tretë fillon me vitin 1990 e tehu, ku më në fund fotografia artistike shqiptare përjeton afirmim të plotë me të gjitha proceset teknike e teknologjike, pra edhe me teknikën digjitale", tha Ferizi. Më pas, autori i librit, Qerim Vrioni, i falënderoi të pranishmit, disa prej të cilëve diskutuan lidhur me librin si dhe paraqiten disa kritika lidhur me mungesën e disa prej fotografëve kosovarë në këtë monografi.Â
Marrë nga "Express"