English

Populli dhe politika

Ka tepër shumë arsye për të dëshmuar se çështjen e politikës, e këtu duhet kuptuar çështjen e atdheut e të kombit, nuk duhet lënë vetëm në duart e politikanëve

Nga Basri Kodra

Është përhapur një mendim i gabuar në shoqërinë tonë, sipas të cilit, populli nuk ka nevojë të përzihet në punët e politikës. Për këtë punë, thonë ata, janë politikanët, të cilët kanë mandatin dhe përgjegjësinë për drejtimin e punëve politike e shtetërore në përgjithësi. Kur thonë kështu, ata në të vërtet, shprehen kundër organizimit të protestave, grevave, demonstratave apo ndonjë forme tjetër, përmes të cilave populli mund t'i shpreh kërkesat apo pakënaqësitë e veta.

Është e vërtetë se politikanët dhe veprimtarët si përfaqësues të popullit me mandat politik merren me politikë dhe janë të obliguar që vullnetin e atij populli ta përfaqësojnë denjësisht, duke mbrojtur interesat e tij fuqishëm. Por mjerisht kështu nuk ndodh gjithherë. Kjo sigurisht nuk ndodh me popujt e robëruar e të pushtuar, por kjo nuk ndodh shpeshherë as edhe me popujt që kanë qeveri kukulla, gjysmë të pavarura apo qeveri ndërmjetëse - sikundër është kjo jona. Sa më pak të jenë të pavarura qeveritë dhe shtetet përkatëse, aq më të mëdha janë gjasat që të nëpërkëmbet vullneti i qytetarëve.

Mendimi i gabuar sipas të cilit ‘me politikë duhet të merren vetëm politikanët', është përhapur më tepër edhe si pasojë e shpalljes së pavarësisë së cunguar e të mbikëqyrur, më 17 shkurt 2008. Kjo ka bërë që shumë njerëzit të mendojnë se, meqë tanimë kemi institucione shtetërore e politike, nuk është e nevojshme që populli të mendojë më për politikën, për problemet e mëdha të shtetit, e gjëra të tjera si këto. Ndonëse janë të vetëdijshëm se shpallja e pavarësisë nuk e solli pavarësinë e vërtetë dhe se këtu e tutje kanë mbetur shumë punë për t'u bërë, prapë se prapë janë të bindur se politikanët dhe institucionet shtetërore janë përgjegjëse për zhvillimet në vend dhe do të kujdesen që ta çojnë deri në fund punën e nisur. Kjo kategori e njerëzve që mendon kështu, ç'është e vërteta, ngjashëm ka menduar edhe para shpalljes së pavarësisë. Ngase edhe para 17 shkurtit 2008 ne kemi pasur do farë institucione të quajtura ‘vetëqeverisëse' e mjaft politikanë që vepronin nëpër këto institucione, por rezultati që sollën këta politikanë dihet se çfarë ishte: pavarësia e ngulfatur në një pako që kurrsesi nuk po e përmban vullnetin e popullit. Po ashtu, një disponim të tillë të popullit në raportin me politikën dhe politikanët, janë munduar ta krijojnë edhe në kohën e Rugovës, për të cilën kohë, këtu s'e shoh të nevojshme të zgjatem më tej.

S'ka dyshim se, një opinion i tillë i krijuar prej politikanëve, vendorë e ndërkombëtarë, bëhet me qëllim të largimit të popullit nga politika, me çka politikanëve do t'u liheshin duart e lira për drejtimin e vendit në kahet dhe drejtimet që ata duan. Në rastet kur vendi ndodhet i pushtuar, udhëheqësit politik-popullor bëjnë përpjekje që të afrohen sa më pranë popullit, përkatësisht, ta afrojnë popullin sa më pranë politikës. Ndërsa në rastet kur vendi ndodhet i çliruar dhe ka vendosur një qeveri vendore, ka politikanë që shpeshherë do të mundohen ta mbajnë sa më larg popullin, në mënyrë që të mund t'i realizojnë disa interesa personale apo klanore. Për rastin tonë, të Kosovës, ai vërtet është ‘i veçantë'. Politikanët tanë, përderisa i kanë afër, e besa edhe përmbi, politikanët ndërkombëtarë, vështirë e kanë ta afrojnë popullin, prandaj, nën yshtjen edhe të tyre, do të mundohen ta shtyjnë sa më larg nga vetja dhe politika, në mënyrë që të veprojnë të papenguar. S'është e çuditshme, prandaj, pse gjatë kohës së negociatave në Vjenë, kur paralajmërohej ndonjë demonstratë apo protestë, reagimet zyrtare ishin të tipit: "Kjo formë e pakënaqësisë e dëmton procesin..."; "Ka kaluar koha e protestave, sepse tani kemi institucionet tona..."; "Kjo nuk i bënë mirë imazhit të Kosovës kundrejt bashkësisë ndërkombëtare..."; "Të tilla ngjarje e rrezikojnë të ardhmen e vendit..."; e të tjera të ngjashme! Sigurisht, fare nuk është e nevojshme të theksohet, se kush më në fund e dëmtoi imazhin tonë, procesin politik, apo më në fund, ardhmërinë e Kosovës më shumë: populli - përmes demonstratave apo politikanët - përmes negociatave.

Por, a duhet tu lihet në dorë politika vetëm politikanëve? Apo më saktë, a duhet që çështja kombëtare t'u lihet në dorë vetëm politikanëve (kuptohet që, këtu, fjala ‘politikan' në kontekstin tonë politik ka kuptim të kushtëzuar, ngase iu referohet të gjithë atyre që janë përfshirë në veprimtarinë politike, por që shumë prej tyre as që kanë lidhje me këtë profesion)? Përgjigjja është jo. Sepse, t'ua lësh në dorë politikën vetëm politikanëve do të thotë të lësh fatin e atdheut dhe të kombit në mëshirën e tyre. Ashtu sikundër thoshte filozofi gjerman, Martin Heidegger, për gjuhën, se është aq e çmuar sa nuk bënë kurrsesi t'u lihet vetëm gjuhëtarëve, po ashtu mund të thuhet edhe për kombin e atdheun, që janë aq të çmuar, sa nuk bënë kurrsesi t'u lihen vetëm politikanëve.

Ka tepër shumë arsye për të dëshmuar se çështjen e politikës, e këtu duhet kuptuar çështjen e atdheut e të kombit, nuk duhet lënë vetëm në duart e politikanëve. E sidomos në duart e politikanëve sikundër janë shumica e këtyre tanëve - politikanë që nuk veprojnë në saje të nevojave dhe kërkesave të popullit por në saje të nevojave dhe kërkesave të interesave të shteteve më ndikuese të bashkësisë ndërkombëtare. Populli duhet patjetër të merret me politikë, dhe kjo aspak nuk ka të bëjë me ‘politizimin' e shoqërisë. Depolitizimi duhet t'i përfshijë institucionet e ndryshme shoqërore e kombëtare ndërsa populli duhet të politizohet, në kuptimi pozitiv të kësaj fjale, sepse në fund të fundit ai paraqet sovranin e vërtetë. Ai e ka të garantuar me të gjitha kushtetutat e sotme që të thirret të merr pjesë në politikë. Në leksionin Politika si profesion, sociologu dhe ekonomisti i shquar gjerman, Max Ëeber, thotë: "Politikanë të ‘rastit' jemi ne të gjithë, kur hedhim fletën tonë të votimit ose kur realizojmë një shprehje të ngjashme të vullnetit si p.sh. duartrokitje apo protestë në një konferencë ‘politike' apo kur mbajmë një fjalim ‘politik' etj..." Pra, ne thirremi të marrim pjesë në politikë dhe përfshihemi në të, në një mënyrë specifike. Nuk mundet që i gjithë populli të anëtarësohet nëpër parti politike, a të bëhen deputetë. "Ne nuk jemi anëtarë të parlamentit..." i pat thënë Adem Demaçi gazetarit të BBC-së, Muherrem Nitaj-t, në intervistën dhënë pak ditë pas demonstratës së 10 shkurtit 2007, kur ky i fundit iu referua Kryeministrit Çeku, kur kishte deklaruar se i kupton shqetësimet e qytetarëve dhe të anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mirëpo adresimi i këtyre shqetësimeve nuk mund të jetë rruga.

Politikanët e udhëheqin popullin drejt aspiratave të tyre, ata e drejtojnë shtetin në mënyrë që ai të bëhet atdhe i vërtetë i qytetarëve të vet, por politikanët nuk mund ta udhëheqin shtetin dhe popullin në kahe të kundërta me vullnetin e tij e për interesa të vetvetes. Pra, populli është ai i cili e kontrollon dhe e korrigjon ecjen e politikanëve, dhe kjo nuk mund të bëhet pa u përzier në politikë, pa marrë pjesë në të, në formën që e përcakton dhe e lejon vetë demokracia. Këtu edhe qëndron, në të vërtet, thelbi i demokracisë.

Populli, në fund të fundit, duhet të përzihet në politikë, sepse tagrin për veprimet e gabuara të politikanëve gjithmonë e ka paguar dhe do ta paguaj edhe në të ardhmen, vetë, dhe jo politikanët.

KOMENTE