English

Vodafone Albania mbështet sërish skuadrën kombëtare të futbollit

Tiranë, 8 shtator NOA - Ditën e sotme, pritet të zhvillohet ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës "Afrikë e Jugut 2010", në të cilën Shqipëria, si një nga skuadrat më surprizuese dhe më të respektuara të grupit të saj do të përballet me Danimarkën, që është edhe një nga pretendentet më të forta për t'u kualifikuar.

Me rastin e këtij dueli të rëndësishëm dhe të shumëpritur, Vodafone Albania ka nisur të organizojë eventin "Fan Club", i cili ka qenë dhe do të jetë prezent çdo herë që kombëtarja jonë përballet më skuadra të tjera për kampionatin botëror "Afrikë e Jugut 2010".

Edhe këtë herë Fan Club u ngrit tek "Ura e Re" pranë ish-Bllokut, dhe për dy ditë rresht, sot dhe nesër, dhe ditën e ndeshjes të gjithë fansat e kombëtares mund të argëtohen dhe të ndjekin drejtpërdrejt nga ekrani gjigant, ndeshjen që zhvillohet pak kilometra më tej.

Përveç kësaj fansat e kombëtares do mund të luajnë calceto, foosball dhe të tjera lojëra argëtuese.

Fituesit e lojërave të organizuara do të marrin bileta falas për të ndjekur ndeshjen live në stadium.

Vodafone Albania pohon se kjo kompani, po vazhdon të përkushtohet ndaj futbollit dhe të japë mbështetjen e saj ndaj Skuadrës Kombëtare Shqiptare të Futbollit.

e.r/NOA

KOMENTE