Tiranë, 9 shtator NOA - "Të gjithë e dimë qëndrimin e Komisionit Evropian. Debatet në demokraci bëhen në Parlament dhe jo jashtë tij".
Kështu e ka komentuar, Ambasadori i Komisionit Evropian Helmut Lohan bojkotin e Kuvendit nga Partia Socialiste.
Komenti i Lohan erdhi pas pyetjes së gazetarëve pas ceremonisë së inaugurimit të fazës B të terminalit të Aeroportit "Nënë Tereza" ku Helmut Lohan ishte i pranishëm.
Partia Socialiste ka vendosur të bojkotojë parlamentin gjë të cilën e ka faktuar një ditë më parë në seancën e parë kur ajo nuk mori pjesë gjatë betimit të deputetëve.
Kreu i socialistëve, Edi Rama deklaroi dje se PS do të marrë menjëherë pjesë në Kuvend nëse qeveria lejon hapjen e kutive dhe hetimin e procesit zgjedhor në mënyrë të pavarur.
k.k/NOA