Bruksel, 9 shtator NOA-Bashkimi Evropian synon të arrijë një përparim të dukshëm në marrëdhëniet me Serbinë dhe është bërë tepër i ndjeshëm ndaj interesave serbe, prandaj ka fyer dhe destabilizuar autoritetet e Kosovës, konsiderojnë zyrtarë të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG).
Drejtori për Ballkanin i ICG-së, Marko Prelec thotë se përgjegjësinë për situatën e porsakrijuar duhet kërkuar edhe në anën e EULEX-it edhe në anën e Prishtinës, sepse sipas tij, kanë vepruar shumë keq në situatën rreth nënshkrimit të protokollit për bashkëpunimit policor të Serbisë dhe EULEX-it.
"Aty është edhe pala e tretë, Beogradi, i cili përfaqëson pozicionet e tij, ndërsa BE në situatën konkrete ishte tepër e ndjeshme ndaj interesave serbe", thotë Prelec për Deutsche Welle.
Meqenëse BE dëshiron të arrijë një progres të dukshëm në marrëdhëniet me Serbinë, që do të thotë aktualizim të regjimit të vizave, ai thotë se "Beogradi duhet të përmbushë të gjitha kushtet e mbetura, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me Kosovën".
Sipas drejtorit për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, sikur harrohet fakti se EULEX-i nuk është aty për të çuar përpara stabilizimin e Serbisë dhe Ballkanin Perëndimor, por Kosovën.