Bruksel, 9 Shtator NOA - Negociatori i njohur për çështje delikate ndërkombëtare, MArti Ahtisari, ka lëshuar një sinjal të fortë dhe të qartë për Serbinë, pasi ka paralajmëruar se ky vend do të mbetet jashtë Bashkimit Evropian nëse nuk njeh Kosovën Republikë më vete.
Këto pohime, ish-ndërmjetësi i bashkësisë ndërkombëtare për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, i ka bërë në Bruksel.
"Shtetet që kanë pasur konflikte në Ballkan nuk do të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian, pa i normalizuar marrëdhëniet", - deklaroi ish-Presidenti finlandez Ahtisari.
Kurse u shpreh edhe më konkretisht: "Në këtë rast, Serbia nuk mund të hyjë në BE para se ta njohë Kosovën si shtet".
Në këtë pikë, ai ka shprehur dhe pakënaqësi e keqardhje për faktin se disa vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet madje janë shprehur se nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë.
"Unë shpreh keqardhjen për ndarjet brenda BE-së lidhur me Kosovën", - ka theksuar z.Ahtisari, duke lëshuar një tjetër paralajmërim të fortë: "Vendet që nuk e njohin Kosovën, duhet të mbajnë përgjegjësi për pengimin e procesit të zgjerimit". e.r/NOA