Prishtinë, 9 shtator, NOA - Mbi 90 për qind e rasteve të denoncuara nga qytetarët lidhur me fenomenin e korrupsionit, kanë të bëjnë me sektorin e gjyqësisë, thonë përfaqësues të organizatave, që merren me luftimin e kësaj dukurie në Kosovë.
Megjithatë, sipas tyre, për shkak të mungesave në rrafshe të shumta, lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni vazhdon të jetë e kufizuar. Dukuria e korrupsionit vlerësohet të jetë njëra prej sfidave më të mëdha për institucionet kosovare. Raportet e fundit të organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, ndërkaq, tregojnë për një rritje të këtij fenomeni. Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion, Hasan Preteni, thekson se arsye e efikasitetit të dobët në luftën kundër korrupsionit, përveç faktorëve të tjerë, siç është infrastruktura ligjore, është edhe efikasiteti i dobët i gjykatave. "Është një përgjegjësi më e madhe e gjykatave, jo vetëm ato që duhet të gjykojnë për veprimet e mundshme korruptive, mirëpo gjykatat në raport me Agjencinë Kosovare Kundër-korrupsion janë shumë neglizhente dhe nuk na raportojnë për rastet që i zgjidhin". "Në anën tjetër, pretendohet që, pikërisht, gjykatat janë të përfshira në korrupsion. Në një anë nuk i zgjidhin problemet, e në anën tjetër, gjatë punës se tyre ka veprime të mundshme korruptive", thotë Preteni. Për rritjen e efikasitetit në këtë drejtim, Preteni pohon se duhet të kompletohet infrastruktura ligjore dhe të përshtatet me rrethanat kosovare, mandej të fuqizohen mekanizmat antikorrupsion si dhe të investohet në ngritjen e vetëdijes qytetare për luftë kundër korrupsionit. Një hulumtim për dukurinë e korrupsionit, i bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës, tregon se mbi 90 për qind e rasteve të denoncuara nga qytetarët, kanë të bëjnë me sektorin e gjyqësisë. Zëdhënësi i Institutit Demokratik të Kosovës, Besnik Ramadanaj, shpjegon se: "Në rend të parë ankesat më të mëdha vijnë për sektorin e drejtësisë, pastaj vazhdojnë tek shërbimet e qytetarëve tek pronat, në arsim, ekonomi-çështjet e privatizimit". "Bazuar në këtë raport, KDI-ja më pas do të veprojë në kuadër të projektit me avokim, duke avokuar tek institucionet përkatëse që të përmirësojnë ato segmente ku janë gjetur raste të shumta të korrupsionit". Njëkohësisht, edhe raporti i fundit i Programit të Kombeve të Bashkuara, UNDP, raporton se gjykatat, Korporata Energjetike e Kosovës, prokuroria, Agjencia Kosovare e Privatizimit, spitalet dhe Qeveria radhiten ndër institucionet që janë më të përfshirat në korrupsion. Ndërkaq, ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se për ta luftuar korrupsionin, duhet të ekzistojë një guxim më i madh i institucioneve, të cilat merren me luftimin e këtij fenomeni. Proceset që kanë të bëjnë me këtë, ata theksojnë se nuk duhet të mbesin vetëm të publikuara, por të përfundohen të gjitha procedurat. I të njëjtit mendim është edhe eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu. "Sipas asaj që publikohet është shumë pak, është pothuajse minore. Nëse zbulohet një korrupsion i 50 eurove dhe ai është i dyshimtë në një zyre administrative, nuk mund ta quajmë atë korrupsion, korrupsioni rrjedh prej burimeve të mëdha materiale, dhe ajo dihet ku është; në vendimmarrje, në ekzekutiv. Prej atyre buron gjithë problemi në Kosovë", shpjegon Musliu. Institucionet e Kosovës, ndërkaq, janë akuzuar disa herë se nuk po bëjnë sa duhet për ta parandaluar korrupsionin në shoqëri. Madje, edhe një nga institucionet më me renome ndërkombëtare, "Freedom House", thotë se niveli i korrupsionit në Kosovë ende është i lartë, ndërsa nuk ka angazhim institucional për ta luftuar këtë. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës është zotuar për zero tolerancë ndaj dukurisë së korrupsionit.
NOA-INA