Mund të thuhet që Plani i Ahtisaarit është simptomë e pakontrollueshmërisë së hapësirës politike e juridike të Kosovës të banuar me shqiptarë nga ana e Serbisë, kurse Plani 6 Pikësh simptomë e pakontrollueshmërisë së kësaj hapësire të banuar me serbë dhe struktura paralele nga ana e Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare
Nga Glauk Konjufca
Në çastin që zbarkoi në Kosovë, EULEX-i u bë MULTIPLEX: ai vazhdoi rrugën e UNMIK-ut të menaxhimit të shumësisë së hapësirave të papërputhshme politike e juridike brenda Kosovës. Në raport me institucionet e Kosovës dhe hapësirën politike ku sundojnë ato u pajtua që ta respektonte Planin e Ahtisaarit; nëpër enklavat serbe e konservoi UNMIK-un dhe rregulloret e tij; kurse në veri dhe nëpër shumë rajonet tjera të banuara me serbë, vendosi bashkëpunim me strukturat paralele të Beogradit dhe garantoi zbatimin e Planit 6 Pikësh. Këtë mishmash juridik EULEX-i e paralajmëroi që kur hyri nën ombrellën legale të OKB-së: ky mision i ri ndërkombëtar u zotua se do të bashkëpunonte me çdo "hisedar" që ushtron kontroll efektiv mbi territoret respektive, për ta mbajtur sigurinë pikërisht mbi këtë shumësi forcash divergjente.
Mund të thuhet që Plani i Ahtisaarit është simptomë e pakontrollueshmërisë së hapësirës politike e juridike të Kosovës të banuar me shqiptarë nga ana e Serbisë, kurse Plani 6 Pikësh simptomë e pakontrollueshmërisë së kësaj hapësire të banuar me serbë dhe struktura paralele nga ana e Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare. Tash së fundi, EULEX-i paralajmëroi për nënshkrimin e një Protokolli bashkëpunimi me Serbinë në fushën e policisë, kufijve dhe shkëmbimit të informatave.
Qeveria e Kosovës së pari po e kundërshton nënshkrimin e këtij protokolli vetëm verbalisht; e së dyti po fshihet pas reduktimit të reagimit të vet në mospajtim formal që po i a bën protokollit. Kritika e qeverisë ndaj protokollit është krejtësisht formale, ngase qeveria po thotë se problemi kryesor i protokollit është mosprania e Kosovës si palë e këtij protokolli. Por problemi i vërtetë i protokollit është përmbajtja e protokollit, kurse forma e tij është pasojë e drejtpërdrejtë e përmbajtjes. Në protokoll EULEX-i e definon kufirin mes Kosovës e Serbisë si "kufi administrativ", pra njëjtë siç e përcaktonte atë UNMIK-u dhe po sikur e trajtonte dhe ende e trajton atë Serbia. Halli i qeverisë nuk është ky definim legal i Kosovës si pjesë e Serbisë, por vetëm fakti pse qeveria nuk është pyetur për protokollin dhe nuk figuron si palë nënshkruese e saj. Kurse kritika dhe kundërshtimi duhet ta shënjestrojnë pikërisht përmbajtjen e protokollit.
Në anën tjetër, përmbajtja e protokollit është pasojë e drejtpërdrejtë e mandatit të EULEX-it. Vetë fakti që EULEX-i është dashur të kalojë nëpërmjet plotësimit të kushteve të vëna nga Beogradi për t'u vedosur në Kosovë, tregon se një pjesë e Kosovës nuk është kontrolluar as nga institucionet e Kosovës, as nga UNMIK-u, por drejtpërdrejt nga Serbia. Kurse pjesa e banuar me shqiptarë është kontrolluar nga UNMIK-u. Kjo është arsyeja pse Prishtina EULEX-it i ka dërguar FTESË, kurse Serbia i ka qitur KUSHTE. Ftesa e institucioneve për EULEX-in është bërë në Deklaratën e Pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës sipas Planit të Ahtisaarit, më 17 shkurt 2008. Në po atë pikë ku është bërë ftesa përmendet edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra, në pikën 5 të deklaratës thuhet: "Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian." Kjo deklaratë Rezolutës 1244 i referohet 3 herë - dy herë në pikën 5 dhe një herë tjetër në pikën 12: "Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)."
Prandaj, EULEX-i mandatin e vet të plotë e rrumbullakon nëpërmjet Planit 6 Pikësh, por gjithsesi e nis me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Çdo ditë po bëhet më e qartë që Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia, por pavarësinë e vet nga enklavat dhe veriu.