Ekspertët thonë se politika amerikane ndaj Rusisë nuk mund të jetë e suksesshme pa unitetin evropian. Rusia, nga ana e saj, ka bërë ç'ka mundur për të minuar mundësinë e politikave të përbashkëta evropiane
Nga Gregory Feifer
Presidenti Barak Obama synon ndryshimin e raporteve me Rusinë. Analistët besojnë se pa mbështetjen e fuqishme të vendeve evropiane, një synim i tillë nuk do të mund të përmbushet. Arritja e konsensusit evropian në politikat ndaj Rusisë nuk është detyrë e lehtë.
Sheshi kryesor i Pragës është i mbushur me turistë, kafene e dyqane. Një pamje e tillë ka qenë e vështirë të mendohej 20 vjet më parë, para rënies së perdes së hekurt në Evropën Qendrore e Lindore. Me gjithë faktin se, aktualisht, çekët janë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, sërish janë nervozë rreth fqinjit lindor. "Mendoj se është kërcënim, ndonëse jo si 20 vjet më parë. Por, nëse më pyesni rreth radarit që amerikanët do të vendosin, është një hap plotësisht i justifikuar", thotë për radion Evropa e Lirë, Misha Porçazkova. Sot njerëzit nuk u druhen tankeve të Ushtrisë së Kuqe, por kontrollit të Moskës mbi burimet e naftës dhe gazit. Për shkak të mosmarrëveshjeve Rusi-Ukrainë, një pjesë e mirë e vendeve të Evropës mbeti pa gaz janarin e shkuar, derisa temperaturat shënonin nivele shumë të ulëta. Marshall Golldman, nga Universiteti i Harvardit, pohon se vendet evropiane po varen gjithnjë e më pak nga burimet e tyre energjetike, çfarë e bën energjinë një mjet më efektiv se armët bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë.
"Ato armë ishin thuajse të papërdorshme, sepse nëse Rusia do t'i përdorte, atëherë Shtetet e Bashkuara do të hakmerreshin. Nëse Rusia kërcënon, apo pret furnizimet me energji, thuajse se nuk ka asgjë, me të cilën t'i kundërpërgjigjesh", shpjegon Golldman. Çekia kishte presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në kohën e krizës së gazit mes Rusisë e Ukrainës. Stefan Fule, ministri çek për çështjet evropiane, thotë se politika e administratës Obama ndaj Rusisë është rruga më e mirë për t'u marrë vesh me Moskën. "Nuk ka pse të dyshojë se na duhen përpjekje shtesë për ta përfshirë Rusinë. Kjo jo për faktin se e kuptojmë atë që po ndodh në Rusi, apo në vendet në kufi me të, përkundrazi nuk jemi dakord me qasjen ruse, prandaj duhet të kemi ura komunikimi", thotë Fule. Ekspertët thonë se politika amerikane ndaj Rusisë nuk mund të jetë e suksesshme pa unitetin evropian. Rusia, nga ana e saj, ka bërë ç'ka mundur për të minuar mundësinë e politikave të përbashkëta evropiane. Një nga rrugët ka qenë nënshkrimi i kontratave të majme mes "Gazprom"-it rus, kompani shtetërore, dhe kompanive të naftës e gazit të Evropës Perëndimore. Rusia e shikon konsensusin evropian si kërcënim. Gjermania ka qenë ndër vendet evropiane më miqësore ndaj Rusisë. Kancelarja Angela Merkel drejtoi fushatën kundër nismës së administratës Bush për të çuar përpara anëtarësimin në NATO të Gjeorgjisë e Ukrainës. Po kështu, Gjermania bllokoi nismat e Brukselit që synonin kufizimin e shtrirjes së "Gazprom"-it në Evropë. Një numër analistësh besojnë se konsensusi evropian rreth politikave ndaj Rusisë do të arrihet vetëm kur njerëzit në rrugët e Parisit e Londrës të ndihen po aq të kërcënuar nga Moska, sa edhe çekët në rrugët e Pragës.